Koalicioni saudit kryen sulme ajrore në aeroportin e Jemenit
Një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili po lufton në Jemen, kreu sot sulme ajrore në aeroportin ndërkombëtar në kryeqytetin e Jemenit Sana, i cili kontrollohet nga rebelët Huti, por më parë u bëri thirrje civilëve që të evakuohen, njoftuan mediat shtetërore.
Koalicioni u bëri thirrje punëtorëve të organizatave ndërkombëtare dhe humanitare në aeroport që të evakuohen menjëherë për shkak se ishin iniciuar "masat ligjore për trajtimin operativ me kërcënimin", njoftuan mediat shtetërore në Jemen, raporton Reuters.
Koalicioni tha se kishte hequr mbrojtjen nga vende të caktuara në aeroport dhe më pas kishte kryer sulme ndaj "objektivave legjitime ushtarake".
“Operacioni vjen si përgjigje ndaj kërcënimeve dhe përdorimit të objekteve të aeroportit për të nisur sulme ndërkufitare”, thuhet në deklaratë.
Gjatë konfliktit shtatëvjeçar, forcat e lëvizjes pro-iraniane Huti dërguan drone dhe qëlluan raketa në Arabinë Saudite, dhe një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite u kundërpërgjigj me sulme ajrore brenda Jemenit.
Koalicioni njoftoi të dielën se shkatërroi një dron të nisur nga aeroporti dhe që synonte civilët në aeroportin e mbretit Abdullah Saudit në Gizan, jo shumë larg kufirit me Jemenin.
Koalicioni tha gjithashtu se kishte kryer një operacion ushtarak në aeroportin e Sana për të shkatërruar punëtoritë dhe depot e dronëve dhe armëve të tjera, por më parë u kishte bërë thirrje civilëve që të largoheshin nga zona e sulmit.
Një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite ndërhyri në Jemen në vitin 2015 pasi Huti përmbysën dhe dëbuan një qeveri të njohur ndërkombëtarisht nga kryeqyteti Sana.























