Paralajmërohen masa të reja edhe për të vaksinuarit në Gjermani
BKT
   Bota

Paralajmërohen masa të reja edhe për të vaksinuarit në Gjermani

Udhëheqësit gjermanë janë duke shqyrtuar masa më të ashpra për kufizimin e kontakteve dhe fushatë të përshpejtuar të vaksinimit në mesin e hapave tjerë, pasi ekspertët paralajmëruan se varianti Omicron mund ta çojë buzë shkëmbit infrastrukturën kritike.

Kancelari Olaf Scholz tha se e përkrah vendimin e mundshëm të një takimi të udhëheqësve federalë e shtetërorë, të planifikuar për të martën, për kufizimin e kontakteve private për ata që janë vaksinuar ose që janë infektuar e shëruar.

Duke folur në Romë, kancelari i ri gjerman tha se takimi gjithashtu do të përqendrohet në operimin e vazhdueshëm të institucioneve kritike si spitalet, stacionet e policisë dhe prodhuesit e energjisë në rast të shifrave të larta të rasteve si dhe dhënien e më shumë vaksinave, shkruan Reuters.

Sipas një draft-dokumenti të parë nga agjencia “Reuters”, qasja në restorante, teatro dhe hapësira tjera kulturore do të mbetet e hapur për të vaksinuarit dhe të shëruarit, të cilët do të jenë të kufizuar në më së shumti dhjetë persona nga 28 dhjetori për tubime private.

Paneli këshillues shkencor i qeverisë tha të dielën se është e nevojshme që kontaktet të kufizohen më tej, pasi të dhënat deri më tani kanë treguar se dozat përforcuese të vaksinës nuk do të ishin të mjaftueshme për ta kontrolluar përhapjen e virusit.