Dhjetë të vdekur dhe 40 të plagosur në përleshjet në Somalinë verilindore
Përleshje të rënda të armatosura po vazhdojnë në qytetin port Bosaso midis forcave proqeveritare të sigurisë të rajonit gjysmë autonom Puntland dhe Forcave të Sigurisë së Puntland-it (PSF) të trajnuara nga SHBA-ja.
Përleshjet e armatosura në Somalinë verilindore kanë lënë të vdekur dhjetë persona deri tani, ndërsa luftimet hyjnë në ditën e dytë, tha një burim sigurie.
Përleshje të rënda të armatosura po vazhdojnë në qytetin port Bosaso midis forcave proqeveritare të sigurisë të rajonit gjysmë autonom Puntland dhe Forcave të Sigurisë së Puntland-it (PSF) të trajnuara nga SHBA-ja, tha një zyrtar i sigurisë që foli për AA në kushte anonimiteti.
Në mesin e të vdekurve gjenden tre persona të një familjeje dhe një dijetar fetar, tha zyrtari, duke shtuar se 40 të tjerë janë plagosur.
“Numri i të vdekurve mund të rritet pasi disa nga lagjet e qytetit u goditën nga predha mortajash”, tha ai.
Ministri i Sigurisë në Puntland, Abdisamad Mohamed Galan, njoftoi javën e kaluar se administrata rajonale është gati për një armëpushim dhe dialog.
Bizneset, portet, fluturimet dhe transporti publik në Bosaso mbeten të mbyllura, tha për AA Abdiwahid Mukhtar, banor i qytetit.
Dijetarët fetarë dhe aktivistët kanë bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të luftimeve.
Administrata e Puntland-it ka akuzuar PSF-në se ka bërë kërdi në qytet që nga e hëna.
PSF u kthye kundër qeverisë pasi presidenti i Puntland-it, Said Abdullahi Deni, shkarkoi shefin e grupit, Mohamed Hassan Diyaano, i cili, megjithatë, refuzoi të tërhiqej, duke rezultuar në përshkallëzimin aktual.
PSF fillimisht u krijua nga SHBA-ja si një grup elitar spiun për të luftuar Al-Kaedën, por më vonë filloi të sfidojë autoritetin shtetëror.
Ambasada amerikane në Mogadishu u ka bërë thirrje të dyja palëve që të gjejnë një zgjidhje paqësore për mosmarrëveshjen.























