Franca dhe Italia bëjnë thirrje për rregulla të reja fiskale në BE
Franca dhe Italia kanë kërkuar reforma në rregullat e asistencës financiare të Bashkimit Evropian për të mundësuar huamarrjet dhe investimet e mëdha.
“Ne duhet të kemi më shumë hapësirë për manovrim dhe shpenzime të mjaftueshme kyçe për të ardhmen dhe për të siguruar sovranitetin tonë”, deklaruan presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri italian Mario Draghi në një artikull të botuar në gazetën ‘Financial Times’.
“Borxhi i ngritur për të financuar investime të tilla, të cilat padyshim ndihmojnë në mirëqenien e brezave të ardhshëm dhe rritjen ekonomike afatgjatë, duhet të favorizohet nga rregullat fiskale, duke qenë se shpenzimet publike të këtij lloji në fakt kontribuojnë në qëndrueshmërinë e borxhit afatgjatë”, thanë liderët e dy vendeve.
Burime pranë qeverisë franceze thanë se qëllimi ishte të jepte një shtysë për një debat të përbashkët midis liderëve të BE-së, duke shtuar se ekzistonte një vullnet i përgjithshëm për të ecur përpara lidhur me këtë çështje.
Franca, që do të marrë presidencën e rradhës të Këshillit të BE-së në janar, është e prirur të ndjekë reformat, por nuk ka ende një kornizë të saktë kohore.
Draghi dhe Macron iu referuan një analize të këshilltarëve të qeverisë, sipas burimeve pranë Palazzo Chigi në Romë.
Aktualisht në BE janë ndezur debate rreth reformimit të rregulloreve të borxhit, duke pasur parasysh shumat masive të borxhit të marra për të përballuar ndikimet e pandemisë, së bashku me planet për të investuar në mbrojtjen e klimës.
Sipas Paktit të Stabilitetit dhe Rritjes të BE-së, shtetet anëtare nuk mund të marrin më shumë se 60 për qind të prodhimit të tyre ekonomik në borxh. Gjithashtu, deficitet buxhetore janë të kufizuara në 3 për qind të prodhimit të brendshëm bruto (PBB), sipas kritereve të Mastrihtit.
Pakti, megjithatë, është pezulluar deri në vitin 2023 për shkak të kostove të larta që lidhen me pandeminë. Borxhi i vendeve të Eurozonës do të arrijë në 100 për qind të PBB-së, ku raporti i deficitit do të rritet deri në 7.1 për qind, sipas Eurogrupit./atsh























