Turqia ua ngrin asetet fondacionit amerikan për financim terrorizmi
BKT
   Bota

Turqia ua ngrin asetet fondacionit amerikan për financim terrorizmi

Turqia ua ka ngrirë asetet gjithsej 770 personave dhe një fondacioni me seli në shtetet e Bashkuara me arsyetimin se janë të lidhur me financim të terrorizmit, thuhet në vendimin e publikuar në gazetën zyrtare të premten.

Asetet e fondacionit me seli në Chicago të ShBA-së, “Niagara Foundation”, u ngrinë për shkak të lidhjeve me klerikun Fetullah Gylen, i akuzuar nga Turqia për organizimin e përpjekjes për puç më 2016.

Në gazetën zyrtare thuhet se asetet e më shumë se 400 personave janë ngrirë për shkak të lidhjeve me Gylenin, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.

Në njoftim më tej thuhet se hapi është bërë mbi baza të arsyeshme se ata kanë kryer akte të mbuluara nga nenet “krimi i financimit të terrorizmit” dhe “aktet e ndaluara nga ofrimi ose mbledhja e fondeve”.

Sipas vendimit, janë ngrirë edhe asetet e më shumë se 200 personave të akuzuar për lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, grup i ndaluar me ligj në Turqi, dhe ISIS-in.