Spanjë, infeksionet me COVID-19 brenda një jave rriten për 250 për qind
BKT
   Bota

Spanjë, infeksionet me COVID-19 brenda një jave rriten për 250 për qind

Derisa lloji më ngjitës Omicron i koronavirusit po bëhet dominues, infeksionet ditore janë rritur më shumë se 250 për qind që nga e enjtja e kaluar kur vendi regjistroi më pak se 29 mijë infeksione ditore.

Infeksionet e koronavirusit të ri (COVID-19) vazhduan të rriten në mënyrë shumë të shpejtë në Spanjë, me të dhënat e fundit që njoftuan për 72.912 raste të reja.

Kjo është dita e tretë radhazi që vendi theu rekordin në infeksionet ditore. Të martën vendi regjistroi 49.800 infeksione, ndërsa të mërkurën 60 mijë infeksione.

Derisa lloji më ngjitës Omicron i koronavirusit po bëhet dominues, infeksionet ditore janë rritur më shumë se 250 për qind që nga e enjtja e kaluar kur vendi regjistroi më pak se 29 mijë infeksione ditore.

Infeksionet që po thyejnë rekorde përkojnë me një nga periudhat më sociale të vitit, përkatësisht sezonin e Krishtlindjeve.

Përballë kësaj skene shpërthyese, qeveria qendrore e Spanjës nga e premtja ka urdhëruar mbajtjen e maskës në hapësira të jashtme në qytete ose në hapësira të mbushura me njerëz.

Dje, një gjykatë i dha dritë jeshile kërkesës së qeverisë katalanase për të ndërmarrë masat më të rrepta kundër pandemisë deri më tani në Spanjë, një shtetrrethim brenda natës dhe një kufizim grumbullimi prej dhjetë personash.

Rajonet Murcia dhe Cantabria po ashtu njoftuan se do të kufizojnë aktivitetet gjatë natës.

Shumica e pjesëve të tjera të Spanjës po mbështeten në mbajtjen e maskës, vaksinimin dhe pasaportat e vaksinave për të përmirësuar gjendjen me pandeminë.

Pavarësisht se Spanja është një lider evropian për sa i përket vaksinimit kundër COVID-19, me 90 për qind të personave më të vjetër se 12-vjeç të vaksinuar plotësisht dhe 45 për qind të atyre më të vjetër se 40-vjeç të vaksinuar edhe me një dozë të tretë përforcuese, shtrimet në spital dhe vdekjet nga virusi janë në rritje.

Dje, Spanja po ashtu raportoi edhe 82 vdekje të tjera nga COVID-19.

Edhe shtrimet në spital po rriten në mënyrë të qëndrueshme, me 16,27 për qind të njësive të kujdesit intensiv të zëna aktualisht. Kjo shifër është shumë më e ulët se në valët e mëparshme të koronavirusit, por numri i rasteve aktualisht është shumë më i lartë.

Kujdesi parësor ka qenë më i prekuri deri më tani, pasi mjekët amë nuk përballojnë rritjen e pacientëve me COVID-19, gjurmimin e kontakteve, testimin dhe infrastrukturën e mbingarkuar.

Mbrëmë, një grup personash të zemëruar, që prisnin me orë të tëra në qendrën e kujdesit parësor në qytetin Caceres, u filmuan duke fyer mjekët që nuk arrinin për t’u marrë me ta.

Ekspertët presin që situata të vazhdojë të përkeqësohet gjatë gjithë sezonit të festave.