Bullgaria premton shpërblime për pensionistët që vaksinohen
BKT
   Bota

Bullgaria premton shpërblime për pensionistët që vaksinohen

Bullgaria, një nga vendet me numrin më të ulët të vaksinimeve kundër Covid-19 në Bashkimin Evropian, po ofron shpërblime për të moshuarit që vaksinohen.

Pensionistët bullgarë do të marrin 75 leva (43 dollarë) për vaksinimin. Skema e stimulimit do të zgjasë deri në fund të qershorit, raportoi media lokale.

Vendi i Evropës Lindore ka shkallën më të ulët të vaksinimit në Bashkimin Evropian prej 27 anëtarësh. Vetëm 27 për qind e banorëve i kanë kryer të dyja dozat e vaksinës. Prej tyre, vetëm 3 përqind kanë bërë një injeksion të tretë përforcues.

“Ekziston rreziku që Bullgaria të bëhet një geto e Covid-it”, ka paralajmëruar virologia e njohur bullgare Radka Argirova.

Pagesat speciale kanë për qëllim të përshpejtojnë vaksinimin në një përpjekje për të mbrojtur më mirë popullatën kundër variantit ngjitës Omicron.

Shumë persona në Bullgari kanë refuzuar të vaksinohen për shkak të mosbesimit në qeveri dhe teorive konspirative që qarkullojnë në internet.

Pas një valë të katërt që arriti kulmin në fillim të nëntorit, numri i rasteve në Bullgari ka qenë në rënie. Incidenca shtatë-ditore të premten ishte 149.2 për 100,000 persona./atsh