Holandë, policia rrit sigurinë për ministrin e Shëndetësisë pas kërcënimeve
Policia holandeze ka shtuar sigurinë për ministrin e Shëndetësisë Hugo de Jonge pas disa incidenteve kërcënuese pranë shtëpisë së tij në Roterdam.
Të premten, një mjet i lëvizshëm i policisë me disa kamera vëzhgimi u instalua në vend, sipas agjencisë së lajmeve ANP.
Këto janë ndër “masat e dukshme dhe të padukshme” që po merren për të mbrojtur politikanin 54-vjeçar të qendrës së djathtë, i cili mban edhe postin e zëvendëskryeministrit.
Prej disa kohësh në rrjetet sociale ka qarkulluar adresa private e De Jonge. Së fundmi, para shtëpisë së tij është gjetur një pako e dyshimtë, por nuk ka rezultuar e rrezikshme.
Një person i maskuar postoi pamjet para shtëpisë së tij në internet, raportoi gazeta ‘Algemeen Dagblad’.
Përmes një pajisjeje elektrike që lejon komunikimin e njëanshëm, ai kërkoi të fliste me ministrin për masat e qeverisë kundër koronavirusin. Policia arriti ta ndalonte personin.
Një masë izolimi që mbylli të gjitha dyqanet dhe shërbimet thelbësore, hyri në fuqi në Holandë disa ditë përpara Krishtlindjeve. Qeveria tha se kjo ishte një masë e nevojshme për të parandaluar mbingarkimin e spitaleve për shkak të Omicron./atsh























