Bjellorusia: Ndryshime kushtetuese për të zgjatur qeverisjen e Lukashenkos
Autoritetet në Bjellorusi kanë propozuar disa amendamente kushtetuese që përfshijnë edhe imunitet për të nga ndjekja penale dhe kufizimet për mandatin e presidentëve, si dhe shpërndarjen e pushteteve kushtetuese, që do të forconin rolin e liderit autoritar Aleksandër Lukashenko.
Lukashenko ka thënë se ndryshimet kushtetuese do të votohen në një referendum që do të mbahet në shkurt të vitit 2022.
Kundërshtarët e tij kanë thënë se ndryshimet kushtetuese janë tentim për të kapur shtetin, pasi opozita, përmes protestave, ka refuzuar që të njohë fitoren e Lukashenkos në zgjedhjet presidenciale të mbajtura në gusht të vitit të kaluar. Opozita thotë se rezultati zgjedhor është manipuluar.
Sipas amendamenteve të reja, ndalohet që një person të kandidojë për president nëse i njëjtë është larguar përkohësisht nga vendi. Ky ndryshim duket se ka në cak anëtarët e opozitës që veçse janë larguar nga Bjellorusia për shkak të frikës gjatë shtypjes së dhunshme të protestave që pasuan zgjedhjet presidenciale, transmeton euronews.albania.
Një prej ndryshimeve të propozuara po ashtu thotë se Qeveria nuk mund të nisë ndonjë agresion ushtarak.
“Presidenti zgjidhet me një mandat pesëvjeçar direkt nga populli bjellorus, bazuar në zgjedhje të lira, të barabarta dhe përmes votës së fshehtë. Askush nuk mund të jetë president për më shumë se dy mandate”, thuhet në dokument.
Lukashenko udhëheq me Bjellorusinë që prej vitit 1994 dhe ka mohuar se zgjedhjet e vitit 2020 kanë qenë të manipuluara. Ai ka refuzuar që të negociojë me opozitën për transferimin e pushtetit apo të thërrasë zgjedhje të reja.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shtete të tjera po refuzojnë që ta njohin Lukashenkon si lider legjitim të Bjellorusisë dhe kanë vendosur një sërë sanksionesh ndaj tij dhe zyrtarëve të tjerë të lartë, në përgjigje të shtypjes së protestave.























