SHBA, rreziku i vdekjes nga varianti Omicron më i ulët në krahasim me Delta
Drejtoresha e CDC, dr. Walensky tha se pavarësisht që varianti Omicron i COVID-19 është përhapur me shpejtësi në javët e fundit, normat e shtrimeve në spital dhe vdekjeve nga ky variant janë "më të ulëta" në krahasim me variantin Delta.
Qendra e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) njoftoi se rreziku i vdekjes dhe shtrimeve në spital nga varianti Omicron i COVID-19 është "më i ulët" në krahasim me variantin Delta.
Drejtoresha e CDC, dr. Rochelle Walensky në një deklaratë në Shtëpinë e Bardhë vuri në dukje se pavarësisht që varianti Omicron i COVID-19 është përhapur me shpejtësi në javët e fundit, normat e shtrimeve në spital dhe vdekjeve nga ky variant janë "më të ulëta" në krahasim me variantin Delta.
Walensky ndau mesataren e rasteve për 7 ditët e fundit ku ajo tha se numri i rasteve pozitive është rritur me 60 për qind në krahasim me javën e kaluar duke arritur në rreth 240 mijë raste ditore dhe se shtrimet në spital kanë arritur në 9 mijë me një rritje prej 14 për qind.
Drejtoresha e CDC tërhoqi vëmendjen se bashkë me këtë normat e vdekjeve me një rënie prej 7 për qind janë me një mesatare rreth 1.100 në ditë.
Drejtori i Institutit Amerikan të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, dr. Anthony Fauci bëri të ditur se Omicron në krahasim me Delta-n do të ndjekë një grafik më të ulët për rastet pozitive dhe shtrimet në spital dhe se vaksinat e COVID-19 do të kenë një rëndësi kritike për luftën.
Fauci tha se mund të ketë nevojë për një dozë të dytë shtesë kundër variantit Omicron. Ai shtoi se nuk ka të dhëna të mjaftueshme se sa mbrojtje sigurojnë vaksinat aktuale përforcuese.
Walensky dhe Fauci, gjithashtu paralajmëruan se të dhënat e vërteta lidhur me vdekjet dhe shtrimet në spital mund të kuptohen dy javë më vonë.























