Kulmi i Omicron në Afrikën e Jugut kalohet pa rritje të fataliteteve
BKT
   Bota

Kulmi i Omicron në Afrikën e Jugut kalohet pa rritje të fataliteteve

Afrika e Jugut, ku varianti i ri i Covid-19 u zbulua muajin e kaluar, njoftoi se kishte kaluar kulmin e valës Omicron pa një rritje të konsiderueshme të numrit të vdekjeve.

“Të gjithë treguesit sugjerojnë se vendi ka kaluar ndoshta kulmin e valës së katërt të pandemisë”, thuhet në një deklaratë të presidencës afrikano-jugore, e cila njofton edhe heqjen e disa kufizimeve shëndetësore, në veçanti të shtetrrethimit të natës.

“Megjithëse varianti Omicron është shumë i transmetueshëm, normat e shtrimit në spital kanë qenë më të ulëta se në valët e mëparshme”, tha presidenca.

Omicron, me një numër të lartë mutacionesh që ngrenë shqetësime për rezistencën ndaj vaksinave, u identifikua për herë të parë në Botsvana dhe Afrikën e Jugut në fund të nëntorit.

Ai shpejt u bë dominues në Afrikën e Jugut, duke bërë që numri i infeksioneve të rritet në mënyrë eksponenciale në mbi 26 000 raste në ditë në mes të dhjetorit, sipas statistikave zyrtare.

Varianti është aktualisht i pranishëm në rreth 100 vende, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Tejet ngjitës, ai prek edhe personat që janë vaksinuar ose që tashmë janë infektuar me virusin./atsh