Fillon rikthimi i banorëve në La Palma ku përfunduan aktivitetet vullkanike
Komiteti i Emergjencës Vullkanike të Ishujve Kanarie, njoftoi se duke filluar nga 3 janari rreth 1.000 persona kanë filluar të kthehen në shtëpitë e tyre.
Banorët e ishullit La Palma, nga grupi i Ishujve Kanarie në Spanjën jugperëndimore, të cilët u evakuuan nga rajoni për shkak të Vullkanit Cumbre Vieja që mbeti aktiv 85 ditë, filluan të kthehen në shtëpitë e tyre.
Komiteti i Emergjencës Vullkanike të Ishujve Kanarie, njoftoi se duke filluar nga 3 janari rreth 1.000 persona kanë filluar të kthehen në shtëpitë e tyre.
Autoritetet këshilluan që ata të cilët u kthyen në shtëpitë e tyre pas një pushimi prej rreth 3 muajsh, të ajrosin fillimisht dhomat e tyre dhe të mos hynin në garazh, depo apo bodrum pa bërë matje paraprake të gazit.
Përderisa janë rreth 5 mijë persona që humbën shtëpitë nga llava e shpërthyer nga vullkani në La Palma, 564 prej tyre vazhdojnë të qëndrojnë në hotele, 40 në qendra të mirëqenies sociale dhe pjesa tjetër në shtëpi familjare apo miqsh.
Cumbre Vieja me 85 ditë ishte vullkani që ka qëndruar më së gjati në historinë e ishullit.
Vullkani, i cili nxori më shumë se 94 milionë metra kub llavë që nga fillimi i shpërthimit më 19 shtator, shkatërroi 2.896 banesa, kryesisht shtëpi, ndërsa shkaktoi dëme të pjesshme në 150 ndërtesa të tjera.
Llava ka mbuluar 1.182 hektarë të ishullit dhe ishte krijuar një deltë prej 48 hektarësh në vendin ku ishte derdhur në det.
Ekonomia e La Palmës varet kryesisht nga turizmi dhe plantacionet e bananeve, ndërsa vullkani ka shkaktuar një dëm prej rreth 850 milionë eurosh. Qeveria spanjolle shpalli një pako ndihme prej 230 milionë eurosh.























