India vendos orë policore në kryeqytet për të frenuar rritjen e rasteve
BKT
   Bota

India vendos orë policore në kryeqytet për të frenuar rritjen e rasteve

Ministria e Shëndetësisë e Indisë sot raportoi 37.379 infeksione të reja dhe 124 vdekje, duke u rritur numri i përgjithshëm i rasteve në mbi 34,9 milionë dhe vdekjeve në 482.017.

Orë policore për fundjavë do të zbatohet në kryeqytetin e Indisë, New Delhi, si pjesë e masave për të frenuar rastet në rritje të koronavirusit të ri (COVID-19), njoftuan sot zyrtarët, raporton Anadolu Agency.

Ministria e Shëndetësisë e Indisë sot raportoi 37.379 infeksione të reja dhe 124 vdekje, duke u rritur numri i përgjithshëm i rasteve në mbi 34,9 milionë dhe vdekjeve në 482.017.

Rreth 11.000 infeksione janë zbuluar në kryeqytet në vetëm tetë deri në 10 ditë, tha zëvendëskryeministri i Delhit, Manish Sisodia, në një konferencë shtypi.

Shifra ditore e së hënës prej 4.099 rastesh në kryeqytet ishte rritje masive nga 331 vetëm një javë më parë më 27 dhjetor.

Sisodia tha se të gjithë punonjësit e zyrave qeveritare, përveç atyre që lidhen me shërbimet thelbësore, do të kthehen në punë nga shtëpia.

"Zyrat e kompanive private do të lejohen të operojnë me kapacitet 50 për qind", tha ai.

Ekspertët kanë frikë se rritja në New Delhi dhe pjesët tjera të Indisë, veçanërisht në shtetin perëndimor të Maharashtra, po nxitet nga varianti Omicron.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 1.900 infeksione me Omicron janë konfirmuar, ndërsa Maharashtra dhe Delhi kryesojnë listën e shteteve më të goditura.

Disa shtete kanë shtrënguar kufizimet për të frenuar infeksionet në rritje, me shtetin verior të Punjabit duke u bërë i fundit që zbaton orë policore gjatë natës.