Itali, rritja më e madhe e inflacionit që nga kriza e 2008-s
Sipas vlerësimeve paraprake, në dhjetor 2021, indeksi kombëtar i çmimeve të konsumit shënoi një rritje prej 0,4% në bazë mujore duke e çuar normën e inflacionit në +3,9% nga +3,7 % në nëntor, deklaroi Instituti Italian i Statistikave (Istat).
Norma +3,9% është më e larta që nga kriza e vitit 2008, kur inflacioni ishte +4,1%.
”Ne jemi në prani të një emergjence çmimesh reale në Itali, fatkeqësisht e destinuar të përkeqësohet në muajt në vijim. Numrat e dhënë sot nga Istat konfirmojnë alarmin e rritjes së çmimeve”, deklaroi presidenti i Shoqatës së Konsumatorëve, Carlo Rienzi.
”Në përgjithësi, në vitin 2021, familja tipike italiane, për shkak të normës mesatare të inflacionit prej 1,9% të regjistruar vitin e kaluar, iu desh të paguanin 584 euro shtesë për rritjen e çmimeve të shitjes me pakicë, me maksimum prej +758 euro në vit për një familje me dy fëmijë”, shtoi Rienzi./ atsh























