Lauterbach sugjeron shkurtimin e kohës së izolimit ndërsa Omicron përhapet
BKT
   Bota

Lauterbach sugjeron shkurtimin e kohës së izolimit ndërsa Omicron përhapet

Periudha e izolimit për personat që janë infektuar me koronavirus në Gjermani mund të shkurtohet, sipas një propozimi të paraqitur sot nga ministri i Shëndetësisë Karl Lauterbach, mes shqetësimeve lidhur me rastet në rritje të Omicron.

Sipas propozimit, i cili u hartua së bashku me Institutin ‘Robert Koch’ për kontrollin e sëmundjeve, personat që izolohen për shkak të virusit do të mund të largohen nga dita e shtatë, me kusht që të kryejnë një test PCR ose një test të shpejtë të standardit të lartë.

Pas 10 ditësh, kryerja e testit nuk do të ishte e nevojshme, sipas dokumentit.

Të njëjtat rregulla do të zbatohen për ata që janë në karantinë pasi të kenë rënë në kontakt me një rast të konfirmuar.

Punonjësit kryesorë, të tillë si personeli shëndetësor dhe i kujdesit, mund të dalin nga karantina edhe më shpejt.

Për fëmijët, periudha e karantinës mund të reduktohet në pesë ditë me një test PCR ose një test antigjen. Dokumenti, megjithatë, thekson rëndësinë e mbajtjes së maskave në shkolla.

Rregullat e propozuara do të përjashtonin plotësisht disa persona nga karantina nëse kanë rënë në kontakt me një person të infektuar, në varësi të statusit të tyre të vaksinimit. Kjo do të zbatohej për ata që janë vaksinuar kohët e fundit, qoftë me një doze të dytë ose me vaksinën e tretë përforcuese. /atsh