Qindra mijëra njerëz duan që Tony Blair t`i anulohet "titulli i kalorësit"
BKT
   Bota

Qindra mijëra njerëz duan që Tony Blair t`i anulohet "titulli i kalorësit"

Aktivistët e shoqërisë civile dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut argumentojnë se Blair, i cili shërbeu si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar në vitet 1997-2007, duhet të mbahet si përgjegjës për krime të luftës.

Pasi mbretëresha e Britanisë, Elizabeth II, i dha titullin “kalorës” ish-kryeministrit britanik, Tony Blair, numri i mbështetësve të peticionit të nisur për anulimin e këtij titulli ka kaluar 750 mijë, raporton Anadolu Agency.

Menjëherë pas njoftimit se ish-kryeministrit Blair iu dha titulli "kalorës" më 31 dhjetor si pjesë e listës "Nderi i Vitit të Ri" të ndarë nga Familja Mbretërore Britanike në fund të çdo viti, në faqen "change.org" u nis një peticion për ta anuluar titullin në fjalë.

Qindra mijëra njerëz që mbështetën fushatën në një kohë të shkurtër duan që Mbretëresha Elizabeth II të kthejë përsëri titullin që i është dhënë ish-kryeministrit.

Aktivistët e shoqërisë civile dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut argumentojnë se Blair, i cili shërbeu si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar në vitet 1997-2007, ishte "personalisht përgjegjës" për vdekjen e të pafajshmëve dhe civilëve të panumërt, si dhe të ushtarëve. Sipas aktivistëve, Blair duhet të mbahet si përgjegjës për krime të luftës.

Kryetari i Lidhjes Muslimane Britanike, Raghad Altikriti, për AA tha se Blair meriton të ndëshkohet në vend që të nderohet me titullin kalorës.

“Tony Blair na futi në një luftë kundër Irakut, të kundërshtuar nga 2 milionë njerëz që marshonin në rrugët e Londrës”, tha ai.

Duke theksuar se Blair ka treguar që në fillim se është kundër popullit britanik dhe zgjedhjeve të tij, Altikriti tha se, "Ka madje prova që dalin në media që thuhet se është një luftë e paligjshme. Ata shkatërruan burimet tona, besimin tonë në qeverinë tonë si qytetarë britanikë, duke gënjyer për të hyrë në diçka, ata shkatërruan Irakun. Familja ime është nga Iraku. Ata e kanë shkatërruar vendin tonë. Deri më tani shikoni sa ka kushtuar kjo. Iraku po vuan. Dhe për çfarë? Për shkak të një lufte të paligjshme të nisur nga SHBA me mbështetjen britanike. Tony Blair është përgjegjës për shkatërrimin. Ai është kriminel lufte dhe duhet trajtuar si i tillë”.

Duke nënvizuar se Blair sigurisht nuk e meriton titullin kalorës, Altikriti deklaroi se njerëzit donin që Blair të dënohej për rolin e tij në pushtimin e Irakut.

"(Blair) I ka kushtuar shtrenjtë këtij vendi dhe të gjithë janë të bindur se kjo është një luftë që nuk duhet ta bëjmë. Një njeri si ky sigurisht që nuk e meriton një çmim apo njohje të tillë", tha Raghad Altikriti.

- "Tony Blair kreu krime kundër njerëzimit"

Aktivisti për të drejtat e njeriut, Gurcharan Singh, gjithashtu vlerësoi se me ndarjen e çmimit të kalorësit ish-kryeministrit Blair, "një kriminel lufte që kreu gjenocid në Lindjen e Mesme u nderua për krimet e tij kundër njerëzimit".

"Ne kemi një sistem në këtë vend ku nderohen kriminelët e gjenocidit dhe krimeve të luftës dhe ne duhet ta ndryshojmë këtë", tha Singh.

Duke theksuar se fashizmi u normalizua duke i dhënë Blair-it titullin kalorës, Singh tha se, "Nuk ka dyshim që Tony Blair dhe koalicioni i tij i mëparshëm, dhe për shkak se ai është lideri i këtij koalicioni, po kryejnë krime kundër njerëzimit. I vetmi nder që ata meritojnë është që krimet e tyre kundër njerëzimit të dënohen në gjykatën ndërkombëtare”.

- Blair mashtroi parlamentin britanik për armët e shkatërrimit të masës në Irak

Ish-kryeministri britanik, Blair është kritikuar për mbështetjen e tij ndaj koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja për pushtimin e Irakut në vitin 2003.

Raporti Chilcot, i publikuar në vitin 2016, zbuloi se Blair e siguroi presidentin e atëhershëm të SHBA-së, George W. Bush, për mbështetje në negociatat private përpara se të merrte miratimin e parlamentit britanik.

Blair, i cili doli se kishte mashtruar parlamentin britanik në lidhje me armët e Irakut të shkatërrimit në masë, e kishte bërë vendin e tij partner në pushtimin e Irakut duke dërguar 30,000 ushtarë.

Vlerësohet se më shumë se 200 mijë irakianë vdiqën në pushtimin e Irakut, i cili filloi më 20 mars të vitit 2003, ku humbën jetën 179 ushtarë britanikë.