OKB-ja përsërit mbështetjen për procesin e tranzicionit në Libi
Pas kontakteve të saj me përfaqësuesit politikë libianë në kryeqytetin Tripoli, Williams në twitter shkroi se përfaqësuesit e partive politike janë të gatshëm të tregojnë vullnetin e 2.8 milionë libianëve përmes zgjedhjeve.
Përfaqësuesja e Posaçme e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Libinë, Stephanie Williams, ka deklaruar se do të qëndrojnë pranë Libisë gjatë procesit të tranzicionit.
Pas kontakteve të saj me përfaqësuesit politikë libianë në kryeqytetin Tripoli, Williams në twitter shkroi se përfaqësuesit e partive politike janë të gatshëm të tregojnë vullnetin e 2.8 milionë libianëve përmes zgjedhjeve. Ajo përsëriti se OKB-ja do të qëndrojë pranë popullit libian gjatë procesit të tranzicionit.
Williams theksoi se nevojiten më shumë përpjekje për të siguruar një proces të drejtë tranzicioni dhe përparim në pajtimin kombëtar në Libi.
E dërguara e posaçme e OKB-së dje ka diskutuar propozimet për mbajtjen e zgjedhjeve në Libi me kryetarin e Komisionit të Lartë të Zgjedhjeve të Libisë, Imad es-Sayih.
- Zgjedhje të diskutueshme
Në takimet e Forumit të Dialogut Politik Libian të udhëhequr nga OKB-ja në nëntor të vitit 2020, u vendos që më 24 dhjetor të vitit 2021 në vend të zhvillohen zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare.
Megjithatë, partitë që janë pjesë e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Këshillit të Lartë të Shtetit nuk arritën të bien dakord për ligjin që do të përcaktojë infrastrukturën ligjore të zgjedhjeve.
Duke theksuar se zgjedhjet nuk mund të mbaheshin më 24 dhjetor të vitit 2021 siç ishte planifikuar më parë për shkak të problemeve ligjore, Komisioni i Lartë Kombëtar i Zgjedhjeve në Libi propozoi që zgjedhjet presidenciale të shtyheshin për më 24 janar të vitit 2022.























