280 miliardë dollarë dëme nga katastrofat natyrore
Viti 2021 është bërë pjesë e një tendence afatgjatë e shkatërrimit të shkaktuar nga fatkeqësitë natyrore, sipas kompanisë gjermane të risigurimeve ‘Munich Re’.
Në mbarë botën, stuhitë, përmbytjet dhe rreziqet e tjera natyrore shkaktuan dëme me një vlerë prej 280 miliardë dollarësh vitin e kaluar, sipas raportit vjetor të kompanisë së risigurimeve.
“Më pak se gjysma e kësaj shume, rreth 120 miliardë dollarë”, ishte e siguruar, tha kompania.
Në Evropë, përmbytjet shkatërruese gjatë verës së kaluar në Gjermani dhe vendet fqinje ishin katastrofa natyrore me dëmet financiare më të medha të të gjitha kohërave në rajon, me vlerë 54 miliardë dollarë. Vetëm në Gjermani dëmet arritën një vlerë prej 33 miliardë euro (37 miliardë dollarë).
Vetëm rreth një e katërta e dëmeve gjermane ishin të siguruara, sipas ‘Munich Re’, pasi shumë klientë ishin të pasiguruar për përmbytjet dhe shumë dëme në infrastrukturë ishin gjithashtu të pasiguruara.
Shtetet e Bashkuara u goditën nga tornado, uragane dhe një mot i ftohtë, duke shkaktuar dëme me vlerën e 145 miliardë dollarëve.
Uragani Ida, i cili goditi SHBA-në juglindore në fund të gushtit dhe fillim të shtatorit, ishte fatkeqësia natyrore me dëmet financiare më të medha të vitit, me humbje të përgjithshme prej 65 miliardë dollarësh, nga të cilat 36 miliardë ishin të siguruara.
Sipas ‘Munich Re’, viti 2021 zuri vendin e katërt në renditjen e viteve me dëmet financiare më të medha nga inflacioni./atsh























