Macron: Njerëzit që përhapin lajme të rreme të vihen para përgjegjësisë
Presidenti francez Emanuel Macron tha se njerëzit që përhapin lajme të rreme në internet duhet të mbajnë përgjegjësi dhe ndoshta të vihen para drejtësisë.
Kjo është një çështje që po merr gjithnjë e më shumë rëndësi përpara zgjedhjeve presidenciale të vendit në prill.
Në një fjalim në Paris të martën, Macron paralajmëroi se dezinformatat në internet dhe lajmet e rreme janë kërcënim i rrezikshëm për demokracinë, transmeton euronews.albania.
Ai sugjeroi se ligjet e reja duhet të bëjnë përgjegjës të gjithë personat që përhapin informacione të pavërteta.
Një ligj i 1881-shit vendosi lirinë e shtypit në Francë, ndërsa futi rregulla kundër shpifjes dhe gjuhës së urrejtjes. Qeveria franceze vitin e kaluar krijoi një agjenci për të luftuar dezinformimin dhe lajmet e rreme.
Macron paralajmëroi gjithashtu se demokracitë perëndimore nuk janë mjaftueshëm të forta për t’u përballur me “aktorët e propagandës të financuar nga regjimet e huaja autoritare, të cilat nuk përputhen me procedurat e llogaridhënies dhe etikën gazetareske”.























