Borrell: ShBA na siguroi se s’vendos asgjë me Rusinë pa BE-në
BKT
   Bota

Borrell: ShBA na siguroi se s’vendos asgjë me Rusinë pa BE-në

Shefi i politikës së jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të enjten se Evropa ka marrë garanci nga Shtetet e Bashkuara se me Rusinë nuk do të bëhet asnjë marrëveshje pa përfshirjen e BE-së.

“Kemi qenë në bashkërendim jashtëzakonisht të ngushtë me Shtetet e Bashkuara ditëve të fundit”, iu tha kryediplomati evropian gazetarëve para takimit të ministrave të mbrojtjes të vendeve të BE-së në Francë.

“Kemi garanci se asgjë nuk do të vendoset ose nuk do të bisedohet pa bashkërendimin e ngushtë me Evropën dhe pa pjesëmarrjen e evropianëve”, shtoi ai.

Ndryshe, NATO-ja dhe Rusia të mërkurën zhvilluan bisedime të nivelit të lartë në Bruksel në lidhje me kërkesat e Rusisë për fushën e sigurisë dhe për tensionet në Ukrainë.

Nënsekretarja e Departamentit të Shtetit të ShBA-së, Wendy Sherman, e cila mori pjesë në këto bisedime si përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara në NATO, tha se Rusia nuk u zotua për uljen e tensioneve në zonën kufitare me Ukrainën pas dy rundeve të bisedimeve.

Ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë ende nuk i dinë qëllimet e presidentit rus, Vladimir Putin, pas takimeve diplomatike që u zhvilluan me zyrtarët e lartë nga Rusia.