Dendias: BE duhet të diskutojë kërcënimet në rajonin e Mesdheut Lindor
BKT
   Bota

Dendias: BE duhet të diskutojë kërcënimet në rajonin e Mesdheut Lindor

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, do të marrë pjesë në takimin joformal dyditor të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (Gymnich) në Brest të Francës.

Dendias u mirëprit në një takim nga homologu i tij francez Jean-Yves Le Drian dhe nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell.

“Duhet të bëhet një diskutim i sinqertë për atë që kërcënon BE-në në rajonin e Mesdheut Lindor.  Shkeljet e së drejtës ndërkombëtare dhe mosmarrëveshjet mbi të drejtat sovrane duhet gjithashtu të adresohen”, tha Dendias.

Ministrat e Jashtëm do të diskutojnë gjithashtu Busullën Strategjike të BE-së gjatë një sesioni të përbashkët me ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të BE-së, përpara takimit me krerët shtetërorë në mars. Busulla Strategjike ka të bëjë me objektivat e vitit 2030 për mbrojtjen evropiane.

Situata e sigurisë në Evropën Lindore, veçanërisht në Ukrainë dhe Bjellorusi, do të diskutohet gjithashtu në seancën e parë të takimit të enjten në mbrëmje.

Një sesion i dytë do të mbahet të premten, ku do të shqyrtohen marrëdhëniet BE-Kinë; Kjo do të pasohet nga një drekë pune e organizuar nga presidenca franceze për të diskutuar marrëdhëniet BE-Bashkimi Afrikan./atsh