Kryediplomati i SHBA-së udhëton në Ukrainë mes tensioneve me Rusinë
Kryediplomati amerikan më 19 janar do të takohet me presidentin Zelensky dhe ministrin Kuleba për të përforcuar “angazhimin e SHBA-së ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, këtë javë do të udhëtojë në Ukrainë mes shqetësimeve të vazhdueshme të Perëndimit se Rusia po përgatitet për një pushtim të kombit të Evropës Lindore.
Departamenti i Shtetit i SHBA-së njoftoi se Blinken sot po niset për një udhëtim, të cilën departamenti amerikan e quajti “diplomaci të gjerë të vazhdueshme me aleatët dhe partnerët tanë evropianë në lidhje me një qasje të bashkuar për të adresuar kërcënimin që Rusia paraqet ndaj Ukrainës, si dhe përpjekjet tona të përbashkëta për të inkurajuar atë të zgjedhë diplomacinë dhe de-përshkallëzimin në interes të sigurisë dhe stabilitetit”.
Zëdhënësi i departamentit amerikan, Ned Price, tha se kryediplomati amerikan më 19 janar do të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba, për të përforcuar “angazhimin e SHBA-së ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
“Udhëtimet dhe konsultimet e sekretarit janë pjesë e përpjekjeve diplomatike për të de-përshkallëzuar tensionin e shkaktuar nga ngritja ushtarake e Rusisë dhe agresioni i vazhdueshëm kundër Ukrainës”, tha Price.
Më 20 janar, Blinken po ashtu do të udhëtojë në Gjermani për të takuar ministrin e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, duke vijuar me takime me përfaqësues nga Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar në kuadër të asaj që njihet si ‘Kuadri Transatlantik’.
Rusia akuzohet se ka grumbulluar mbi 100 mijë trupa pranë kufirit të Ukrainës, një lëvizje që ka shkaktuar shqetësime nga Perëndimi se Moska mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër fqinjit të saj ish-sovjetik. Kremlini ka mohuar akuzat e Perëndimit për pushtim, duke theksuar se forcat ruse janë atje për stërvitje.
Por rritja vjen tetë vite pas aneksimit të vitit 2014 nga Rusia të Gadishullit të Krimesë së Ukrainës, një veprim i quajtur i paligjshëm ndër të tjera nga SHBA-ja, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe Turqia. Moska atë vit po ashtu filloi të mbështesë rebelët separatistë në Ukrainën lindore, një politikë të cilën e ka vazhduar për gati një dekadë.
Në një telefonatë me ministrin rus të Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, Blinken diskutoi përpjekjet e fundit diplomatike për të zbutur situatën në vazhdim dhe theksoi rëndësinë e trajtimit diplomatik të “ngritjes ushtarake ruse thellësisht shqetësuese në Ukrainë dhe afër asaj”.
“Sekretari përsëriti angazhimin e palëkundur të SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, si dhe theksoi se çdo diskutim për sigurinë evropiane duhet të përfshijë aleatët e NATO-s dhe partnerët evropianë, përfshirë Ukrainën”, tha Price në një deklaratë tjetër.























