Johnson: Putin nuk mund të rishkruajë rregullat për Ukrainën
Britania e Madhe po bën të pamundurën për të mbështetur popullin e Ukrainës përballë një fushate ruse dezinformimi, deklaroi sot kryeministri britanik, Boris Johnson.
Johnson i tha sot kabinetit se ”presidenti rus Vladimir Putin nuk duhet të lejohet të rishkruajë rregullat e marrëdhënieve ndërkombëtare, ndërsa tensionet rriten përgjatë kufirit Ukrainë-Rusi”.
Britania e Madhe i ka premtuar Ukrainës armë antitanke në përgjigje të një grumbullimi të forcave ushtarake ruse në kufi, me rreth 100 trupa britanike të përfshirë në një operacion stërvitor.
Ligjvënësit thanë dje se Britania e Madhe po furnizonte armë të lehta mbrojtëse kundër blindave, me një “numër të vogël” personeli të Mbretërisë së Bashkuar që po udhëtonin në vend për të ofruar trajnime.
Zëdhënësi zyrtar i kryeministrit tha se “aktualisht gjendet një ekip i vogël trajnimi këmbësorie që po ndihmon forcat e armatosura ukrainase që të familjarizohen me sistemet mbrojtëse që ne po ofrojmë dhe të sigurohen që ato të jenë në gjendje t’i përdorin ato sa më shpejt të jetë e mundur”.
Operacioni ”Orbital”, dislokimi britanik i trajnimit në Ukrainë, ka një detyrë rutinë me një personel prej rreth 100 individësh, që do të ndryshojë në varësi të llojit të trajnimit që po zhvillohet./atsh























