Gjermani, 9,35 miliardë euro eksporte armësh në vitin 2021
Gjermania eksportoi armë me vlerë 9,35 miliardë euro (10,65 miliardë dollarë) në vitin 2021, më shumë se kurrë më parë duke shënuar një rritje prej 61 për qind krahasuar me një vit më parë.
Sipas shifrave të publikuara sot nga Ministria gjermane e Ekonomisë, 9,04 miliardë euro nga shuma totale, janë miratuar nga ish-qeveria e drejtuar nga Angela Merkel.
Qeveria e re e koalicionit trepalësh, e përbërë nga social-demokratët, të gjelbrit dhe Demokratët e Lirë pro-biznesit miratoi 309 milionë euro eksporte në tre javët e para pas marrjes së detyrës më 8 dhjetor.
Në vitin 2019, eksporti i armëve arriti vlerën 8,015 miliardë euro.
Në dhjetor, u zbulua se qeveria në ikje kishte miratuar eksportimin e armëve prej 4,91 miliardë euro nëntë ditët e fundit në detyrë, pak më shumë se gjysma e totalit për të gjithë vitin.
Lajmi u bë kryefjalë për faktin se qeveria ishte në ikje dhe nuk pritej më të merrte vendime politike.
Vendi që ka marrë më shumë armë deri më tani nga Gjermania është Egjipti, i cili është kritikuar për shkelje të të drejtave të njeriut dhe përfshirjen e tij në konfliktet në Jemen dhe Libi.
Egjipti mori armë me vlerë 4,34 miliardë euro vitin e kaluar./atsh























