Presidenti i El Salvadorit të enjten viziton Turqinë
Bukele pritet të “forcojë marrëdhëniet me vendin dhe të kërkojë bashkëpunim dhe mundësi investimi”.
Presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, të enjten do të qëndrojë për vizitë në Turqi në udhëtimin e tij të parë jashtë vendit këtë vit.
“Këtë të enjte, në një vizitë shtetërore, do të zhvilloj një takim me presidentin Recep Tayyip Erdogan”, shkroi Bukele në twitter.
Në një njoftim, qeveria e El Salvadorit tha se Bukele pritet të “forcojë marrëdhëniet me vendin dhe të kërkojë bashkëpunim dhe mundësi investimi”.
“Në vitin 2021, Agjencia Turke e Bashkëpunimit lehtësoi modulin e trajnimit në internet ‘Metodat për të luftuar virusin COVID-19’, nga i cili përfituan 35 mjekë dhe përfaqësues të sektorit shëndetësor në El Salvador”, tha qeveria.
Më tej, thuhet se El Salvadori po ashtu ka eksploruar mundësi për kompanitë turke për të investuar në këtë vend, veçanërisht në sektorët e energjisë dhe turizmit.
Gjatë qëndrimit të tij në Turqi, Bukele do të vizitojë edhe mauzoleumin ‘Anıtkabir’ të Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të shtetit turk. Vizita do të përfshijë edhe takime me drejtues të biznesit.
“Që nga fillimi i administratës së tij, presidenti Bukele ka qenë i përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve diplomatike me vende të ndryshme, me synimin për të kërkuar mirëqenien e popullit të El Salvadorit”, theksohet në njoftimin e qeverisë.
El Salvadori ka ambasadë në Ankara, ndërsa Turqia po e konsideron një lëvizje të ndërsjellë në vendin e Amerikës Qendrore.
Bukele do të shoqërohet edhe nga zonja e parë, Gabriela de Bukele dhe nga vajza e tij.























