Blinkeni e Lavrovi do të takohen në Zvicër
   Bota

Blinkeni e Lavrovi do të takohen në Zvicër

Kryediplomati amerikan, Antony Blinken, do të takohet këtë javë me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, në përpjekje për zgjidhjen e krizës rreth Ukrainës, pas takimeve që fillimisht do të zhvillojë me ministrin ukrainas të Punëve të Jashtme dhe me disa zyrtarë evropianë në Berlin.

“Shtetet e Bashkuara nuk duan konflikt. Ne duam paqe. Presidenti Putin ka pushtet që të marrë hapa për ta shtendosur këtë krizë ashtu që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia të mund të vazhdojnë një marrëdhënie që nuk është e bazuar në armiqësi ose krizë”, tha të martën një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit.

Të mërkurën, sekretari Blinken do të takohet në Kiev me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, dhe homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba. Ai më pas do të takohet në Berlin me homologen gjermane, Annalena Baerbock, dhe më vonë me Katërshen Transatlantike, grup i përbërë nga ShBA-ja, Britania, Franca dhe Gjermania.

Në një deklaratë të Departamentit të Shtetit thuhet se diskutimet pjesërisht do të jenë të përqendruara në gatishmërinë në mesin e aleatëve për të vendosur “pasova masive dhe kosto të ashpra ekonomike ndaj Rusisë”, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.

Blinkeni më pas do të takohet me homologun rus, Sergei Lavrov, të premten në Gjenevë të Zvicrës për të kërkuar rrugëdalje diplomatike me Moskën, tha një zyrtar i lartë amerikan.

Sipas këtij zyrtari, dy kryediplomatët zhvilluan një bisedë telefonike të martën dhe vlerësuan se takimi fizik do të ishte i dobishëm.

Në anën tjetër, ministri rus i Punëve të Jashtme tha se Moska i mirëpret përpjekjet diplomatike të Shteteve të Bashkuara, por i përsëriti akuzat ruse se Ukraina është duke i sabotuar marrëveshjet që për synim e kanë përfundimin e konfliktit mes forcave qeveritare ukrainase e separatistëve të përkrahur nga Rusia në lindje të Ukrainës.