“Emirates Airlines” pezullon fluturimet drejt SHBA-së për shkak të 5G
   Bota

“Emirates Airlines” pezullon fluturimet drejt SHBA-së për shkak të 5G

Kompania ajrore kombëtare e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) “Emirates Airlines” tha se ka pezulluar fluturimet drejt SHBA-së për shkak të rreziqeve potenciale pasi ky vend kaloi në teknologjinë 5G.

Në një deklaratë me shkrim në faqen e internetit të “Emirates Airlines” thuhet: “Është marrë vendim që duke filluar nga sot (e mërkurë) të pezullohen fluturimet me avion që do të zhvillohen drejt SHBA-së për shkak të shqetësimeve operacionale lidhur me aktivizimin e shërbimit celular 5G në këtë vend”.

Në deklaratë theksohet se fluturimet e pezulluara përfshijnë udhëtimet me avion në aeroportet Boston, Chicago, Dallas-Fort Worth, Houston, Miami, New York, Orlando, San Francisco dhe Seattle.

– Afati i fundit për kompanitë celulare për të vonuar kalimin në 5G në SHBA skadoi sot

AT&T dhe Verizon, kompanitë më të mëdha të telefonisë në SHBA, pas kërkesës nga Administrata Federale e Aviacionit e SHBA-së kishte njoftuar më 4 janar se kanë shtyrë dy javë kalimin në teknologjinë 5G.

Në një deklaratë nga zyra për media e AT&T thuhet: “E dimë që siguria e aviacionit dhe 5G mund të jenë së bashku. Jemi të sigurt se më shumë bashkëpunim dhe vlerësim teknik do të zgjidhë të gjitha problemet”.

– Boeing dhe Airbus paralajmëruan për çështjen 5G

Drejtuesit e lartë (CEO) të kompanive Boeing dhe Airbus, prodhuesve më të mëdhenj në botë të avionëve, në një letër të përbashkët lidhur me shërbimin 5G që i dërguan më 21 dhjetor 2021 sekretarit amerikan të Transportit, Pete Buttigieg, paralajmëruan se kjo mund të shkaktonte një dëm të madh në industrinë e aviacionit.

Në letër u mbrojt ideja se teknologjia 5G do të ndikojë negativisht në aftësinë e avionit për të punuar në mënyrë të sigurt dhe u bë thirrje që “kalimi në teknologjinë 5G të shtyhej”.

Grupet që mbrojnë kalimin në teknologjinë 5G akuzuan industrinë e aviacionit për “alarmim të frikës dhe shtrembërimin e të vërtetave” dhe paralajmëruan se vonimi i kalimit në këtë teknologji do të shkaktonte një humbje prej dhjetëra miliarda dollarësh në ekonomi.

AT&T dhe Verizon synonin për të vendosur në zbatim teknologjinë e tyre 5G nga brezi C (C-band) duke filluar nga 5 janari.

Shumica e telefonave në SHBA janë të përshtatshëm me 5G, por nuk mund t’i përdorin këto opsione për arsyen se nuk është kaluar ende në teknologjinë 5G.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa