Zjarr në naftësjellësin Irak – Turqi, vazhdon shtrenjtimi i karburanteve
   Bota

Zjarr në naftësjellësin Irak – Turqi, vazhdon shtrenjtimi i karburanteve

Çmimet e naftës të mërkurën shënuan rritje për të katërtën ditë radhazi, pasi ndërprerja e operimit të një naftësjellësi nga Iraku në Turqi i shtoi shqetësimet rreth gjendjes së furnizimeve edhe ashtu të ngushta në kohën e trazirave politike në Rusi e në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Çmimi i naftës së papërpunuar në bursën Brent u rrit për 39 centë ose 0.5 për qind dhe shkoi në 87.9 dollarë për fuçi, ndërsa çmimi në bursën ËTI u rrit për 64 centë ose 0.8 për qind dhe shkoi në 86.07 dollarë për fuçi, shkruan Reuters.

Operatori shtetëror turk i naftësjellësve tha se ka shuar një zjarr që u shkaktua pas një shpërthimi, gjë që e solli ndërprerjen e qarkullimit të karburanteve në naftësjellësin Kirkuk-Ceyhan, duke shtuar se naftësjellësi do të jetë funksional sa më shpejt që është e mundshme. Nuk dihet shkaku i shpërthimit.

Përmes këtij naftësjellësi merret naftë e papërpunuar nga Iraku, që është prodhuesi i dytë më i madh në organizatën e vendeve prodhuese, OPEC. Përmes këtij naftësjellësi, nafta dërgohen në portin turk, Ceyhan, për eksport.

Problemi i ri u shfaq në kohën kur analistët kanë parashikuar vështirësi në furnizime gjatë këtij viti, të shkaktuara pjesërisht nga niveli i lartë i kërkesës në krahasim me pritjet, pavarësisht përhapjes së variantit Omicron të koronavirusit. Disa kanë parashikuar se çmimi për një fuçi naftë do të shkojë deri në 100 dollarë.