SHBA kërcënon Moskën me sanksione në rast sulmi ndaj Ukrainës
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka kërcënuar edhe një herë Moskën se do të përballet me pasoja të rënda, nëse pala ruse përfshihet në agresion të mëtejshëm kundër Ukrainës.
“Shpresoj se kjo nuk do të ndodhë, por nëse arrihet deri këtu, ne do të veprojmë fuqishëm në një mënyrë të koordinuar për të vendosur sanksione ndaj Rusisë”, tha sot Blinken në Kiev pas një takimi me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe homologun e tij ukrainas Dmytro Kuleba.
“Sanksionet mund të kenë ndikime të mëdha financiare, ekonomike dhe mbi kontrollin e eksportit”, shtoi Blinken.
Blinken mbërriti sot në Ukrainë mes tensioneve të rënda dhe shqetësimeve se konflikti i vazhdueshëm i Ukrainës me Rusinë mund të jetë në prag të nxehjes për shkak të provokimit rus.
Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë në dijeni të planeve ruse për të rritur edhe më shumë numrin e trupave pranë kufirit ukrainas, menjëherë.
“Kjo do t’i jepte presidentit rus Vladimir Putin kapacitetin, gjithashtu në mënyrë të menjëhershme, për të ndërmarrë veprime të mëtejshme agresive kundër Ukrainës”, shtoi ai. /atsh























