Dallimet mes dozës përforcuese dhe të tretë të vaksinës kundër Covid-19
Shëndetësi

Dallimet mes dozës përforcuese dhe të tretë të vaksinës kundër Covid-19

Ariana Kasapolli

Në raportet ditore të IKSHP-së, janë të ndara dozat e treta të vaksinës nga ato përforcuese. Cilat në fakt janë dallimet mes tyre? Ekspertët shëndetësorë thonë se ato nuk kanë dallim dhe se është e njëjta vaksinë, por ajo që e dallon, është koha e administrimit tek qytetarët.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, në raportet ditore ku tregon për numrin e të vaksinuarve, i ka të ndara dozën e tretë nga doza përforcuese. Por çka në fakt nënkupton kjo. A janë dy vaksina të ndryshme, apo janë të njëjta.  Qytetarët nuk e kuptojnë këtë fakt, dhe kur shkojnë të vaksinohen, aty ua prezantojnë vetëm një lloj vaksine si dozë të tretë. Këtë paqartësi e shpjegon infektologu Ilir Tolaj për Radio Kosovën. Ai tha se nuk e di pse në raportet ditore të Institutit Kombëtar ndahen numrat e të vaksinuarve me dozën e tretë dhe me atë përforcuese, kur në fakt është e njëjta vaksinë.

‘’Në fakt nuk ka asnjë dallim, doza e tretë është dozë përforcuese, dhe çdo kund si e tillë konsiderohet. Për këtë arsye nuk mund të them që ka ndonjë dallim dhe nuk është dashur që të ndahen. Andaj statistikat e institutit nuk është dashur të ndahen’’, tha ai.

Ndërkaq edhe nga Ministria e Shëndetësisë, Faik Hoti  duke folur për Radio Kosovën tha se vaksinat janë të njëjta, por arsyeja pse janë të ndara, dallon vetëm nga koha e administrimit.

"Doza e vaksinës kundër COVID-19 e cila jepet 3 muaj pas marrjes së dozës së dytë në sistemin e vaksinimit në Kosovë regjistrohet si DOZË PËRFORCUESE. Ndërsa doza e cila jepet (me indikacione shëndetësore) 8 javë deri në 3 muaj pas marrjes së dozës së dytë në sistem regjistrohet si DOZË E TRETË. Sa i përket përmbajtjes së vaksinës, është e njëjta, nuk kanë asnjë dallim, por i dallon në aspektin e terminologjisë vetëm koha e administrimit’’, tha Hoti

Megjithëkëtë, infektologu  Tolaj thotë se doza e tretë, preferohet për të gjithë ata që janë të vaksinuar me dy doza.

 "Po tregojnë një rritje të imunitetit dhe një rezistencë ndaj formave të rënda të sëmundjes edhe për Omicron’’, tha Tolaj.

Ndryshe, në raportet e përditshme të Ministrisë së Shëndetësisë, vazhdojnë të publikohen të dhënat për vaksinimin e përditshëm  me dozën e dytë, dozën përforcuese dhe ate të tretë.