Supë e prerë me vezë e limon, shije dhe shëndet për organizmin
Kuzhina

Supë e prerë me vezë e limon, shije dhe shëndet për organizmin

Është një supë fantastike, që të kujton fëmijërinë, atëherë kur nëna e përgatiste menjëherë kur përfshiheshim nga ethet apo gripi.

E shëndetshme, e lehtë dhe plot shije, receta e supës së prerë me vezë e limon vijon të jetë një ndër traditat më fantastike të kuzhinës shqiptare.

Kjo supë, krahas vlerave kurative që ka kundër gripit dhe të ftohurës, është fantastike për të hapur oreksin e nepsin në vaktin e plotë të drekës por mund të konsumohet edhe gjatë vaktit të darkës.

Shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer më sallatë të freskët jeshile, marinuar me limon e vaj ulliri. Por edhe byrekë të ndryshëm, sidomos ata të përgatitur me gjizë apo me hithra e lakra të egra.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën e përgatitjes së kësaj supe fantastike tipike shqiptare krejt lehtë në shtëpi.

Përgatitja e supës së prerë me vezë e limon

Përbërësit

(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona) 

1.5 litra lëng mishi apo kockash

4 lugë gjelle oriz

Një kokërr vezë

50 gr ose dy lugë gjelle gjalpë të freskët

Lëngu i një gjysme kokrre limoni

Majdanoz

Piper i zi

Përgatitja

Si fillim zjejmë mishin apo kockat përreth 2 orë. Në mënyrë që lëngu të marrë të gjitha vlerat e duhura të mishit apo kockave.

Në lëngun e mishit ose në ujë të valuar hedhim oriz të pastruar e të larë dhe e lëmë të zjejë në zjarr të ngadalshëm për 25-30 minuta.

Kur supa është gati e heqim nga zjarri, e lëmë të ftohet.  Në momentin që është ende e vakët, e presim vezë dhe limon.

Për këtë, në një tas prej porcelani  hedhim të verdhën e vezës ose një vezë të tërë, e rrahim mirë dhe më pas I shtojmë lëngun e limonit.

Këtë masë e shtojmë pak nga pak, tek supa duke e trazuar njëkohësisht që në mënyrë që masa të bëhet e njëtrajtshme.

Në fund, supës i hidhet pak gjalpë i freskët i skuqur, majdanoz i grirë shumë hollë si dhe piper i zi./agroweb


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa