Biden: Presidenca ime një sfidë, por edhe përparim i madh
Presidenti amerikan Joe Biden u përpoq të ridimensiononte presidencën e tij si një nga “sfidat, por edhe përparimin e madh”, megjithëse pranoi se votuesit ishin të dëshpëruar përballë pandemisë së vazhdueshme dhe vdekjeprurëse të Covid-19.
“Me gjithë këtë përparim, e di se ka shumë zhgënjim dhe lodhje në këtë vend. Por, ndërsa kjo situate është një shkak për shqetësim, nuk është një shkak për panik”, shtoi Biden në një konferencë për shtyp që shënoi vitin e tij të parë në detyrë.
“Covid-19 nuk do të largohet menjëherë. Por, unë nuk do të dorëzohem dhe do t’i pranoj gjërat siç janë tani”, shtoi ai.
Biden, i cili mori detyrën më 20 janar të vitit të kaluar, tha se do të mbështetej në ndihmën e Rezervës Federale për të luftuar inflacionin historik dhe u zotua se ligji i ri i infrastrukturës do të rrisë përpjekjet për të rikuperuar vonesat.
Ai theksoi gjithashtu se ”do të rifillonte përpjekjet për të miratuar planin e tij prej 1,7 trilion dollarësh për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të bërë programe sociale duke argumentuar se ”familjet që vuajnë nga inflacioni do të ndihmohen më shumë nga subvencionet e propozuara për kujdesin shëndetësor”.
Biden, vlerësimi i miratimit të të cilit është 44%, sipas një sondazhi të CBS News këtë javë, ka konsoliduar tashmë gjetje të rëndësishme legjislative si një paketë ndihme pandemike prej 1,9 trilionë dollarësh që ka nxitur rritjen e punësimit dhe një investim prej 1,2 trilionë dollarë në përmirësimin e infrastrukturës amerikane, e cila u mbështet nga dy partitë./atsh























