Shefi i mbrojtjes ruse fton homologun britanik për bisedime të sigurisë
BKT
   Bota

Shefi i mbrojtjes ruse fton homologun britanik për bisedime të sigurisë

Pas ftesës së ngjashme nga Britania, ministri rus Shoygu ka thënë se rifillimi i bisedimeve ushtarake do të ndihmojë në zbutjen e tensioneve në Evropë.

Ministri rus i Mbrojtjes ftoi shefin e mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar në Moskë për bisedime mbi sigurinë në përgjigje të një ftese të ngjashme nga pala britanike.

Pas një ftese nga Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace që u shpreh në një seancë dëgjimore në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, ministri rus Sergey Shoygu tha se rifillimi i kontakteve midis ushtrive ruse dhe britanike do të ndihmonte në zbutjen e tensioneve në Evropë.

“Sergey Shoygu i konfirmoi homologut të tij britanik gatishmërinë e tij për të diskutuar të gjitha çështjet përkatëse të sigurisë dhe, bazuar në parimet e reciprocitetit, i ofroi të zhvillonte bisedime në Moskë në çdo kohë të përshtatshme për ministrin britanik të Mbrojtjes”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes.

Shoygu ka vënë në dukje se “mundësia e dialogut konstruktiv u demonstrua nga palët gjatë vizitës së delegacionit rus në Londër në vitin 2013”, ku ministrat e mbrojtjes dhe të jashtëm zhvilluan bisedime në të ashtuquajturin formati “2+2”.

“Rifillimi i kontakteve në frymën e vullnetit të mirë midis Rusisë dhe Britanisë do të ndihmojë në uljen e tensioneve në Evropë”, ka shtuar Shoygu.

Duke folur në Dhomën e Ulët javën e kaluar, Wallace tha se i kishte dërguar një ftesë Shoygu-t për të vizituar Londrën.

Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë për të diskutuar çështjet lidhur me shqetësimet e përbashkëta të sigurisë dhe për të zhvilluar dialog konstruktiv.