Borrell: S’ka nevojë për dramatizim
Ndërkaq, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell tha më 24 janar se blloku evropian nuk ka asnjë plan të menjëhershëm për të urdhëruar tërheqjen e stafit nga Ukraina.
“Ne nuk do të veprojmë njësojë sepse nuk kemi asnjë arsye specifike”, tha Borrell teksa arriti në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së, takim në të cilin, përmes video-lidhjes do të marrë pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, transmeton REL.
“Nuk mendoj se duhej ta dramatizonin për aq kohë sa bisedimet po vazhdojnë”, tha Borrell.
Gjatë takimit të 24 janarit, ministrat e BE-së pritet të ripërsërisin dënimin e Evropës për grumbullimin ushtarak rus. Vlerësohet se mbi 100,000 trupa ruse janë vendosur përgjatë kufirit me Ukrainën.
Gjatë arritjes në këtë takim që mbahet në Bruksel, ministri i Jashtëm i Danimarkës, Jeppe Kofold tha se BE-ja është e gatshme të vendosë sanksione “të pa para më parë” nëse Rusia sulmon Ukrainën.
Ministria e Jashtme ruse ka akuzuar shtetet e aleancës ushtarake, NATO për përshkallëzimin e tensioneve në lidhje me Ukrainën edhe pasi kryediplomatët e SHBA-së dhe Rusisë u pajtuan më 21 janar që të vazhdojnë të punojnë për uljen e tensioneve.
Kremlini mohon se ka plane për ta pushtuar Ukrainën, por po kërkon garanci se NATO nuk do të zgjerohet në drejtim të lindjes, veçanërisht në Ukrainë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken më herët më 23 janar hodhi poshtë thirrjet për vendosjen e sanksioneve parandaluese ndaj Rusisë, duke thënë se një veprim i tillë do të minonte aftësinë e Perëndimit për të penguar Moskën nga çdo agresion i mëtejmë i mundshëm kundër Ukrainës.
Veprimet që SHBA-ja po ndërmerr tani, përfshirë edhe ndërtimin e unitetit së bashku me Evropën dhe kërcënimin se Rusia do të përballet me pasoja masive në rast të pushtimit, sipas sekretarit Blinken janë të dizajnuara që të pengojnë Putinin që të “ndërmarrë veprime agresive, edhe pse ne në të njëjtën kohë ndjekim rrugën e diplomacisë”.























