BE u thotë lamtumirë hartave të infektimit
   Bota

BE u thotë lamtumirë hartave të infektimit

Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi sot rekomandimin për një qasje të koordinuar çka do të lehtësojë lëvizjen e lirë dhe të sigurt në Evropë.

Rekomandimi, që thotë se masat që duhet të zbatohen tani do të marrin parasysh vetëm gjendjen e personit dhe jo atë në nivel rajonal – i përgjigjet rritjes së përhapjes së procesit të vaksinimit dhe futjes së shpejtë të certifikatës digjitale Covid-19 të BE-së dhe do të hyjë në fuqi në datën 1 shkurt 2022, e njëjta ditë me një akt të deleguar të rregullores së kalimit, që parashikon një periudhë pranimi prej 270 ditësh për certifikatat e vaksinimit (Green Pass).

Rekomandimi i Këshillit të Bashkimit Evropian do të thotë se certifikata e vaksinimit, e testit negativ ose i shërimit të udhëtarit, i vërtetuar nga një certifikatë e vlefshme digjitale e BE-së, duhet të jetë faktori vendimtar.

“Një qasje e bazuar te personi do të thjeshtojë në thelb rregullat dhe do të ofrojë më tej qartësi dhe parashikueshmëri për udhëtarët”, nënvizon ky këshill.

“Udhëtarët që posedojnë një certifikatë digjitale të vlefshme Covid-19 nuk duhet t’i nënshtrohen kufizimeve të mëtejshme për lëvizjen e lirë”, vijon shënimi.

Tre dëshmitë që bëjnë të mundur lëvizjen e lirë mbeten të njëjta: “një certifikatë vaksinimi e miratuar në nivel evropian, nëse kanë kaluar të paktën 14 ditë dhe jo më shumë se 270 ditë nga doza e fundit ose nëse personi ka marrë një vaksinë përforcuese (shtetet anëtare mund të pranojnë gjithashtu certifikata vaksinimi për vaksinat e miratuara nga autoritetet kombëtare apo nga OBSH), një rezultat negativ i testit PCR, jo më i vonët se 72 orë para udhëtimit ose një test i shpejtë antigjen negativ, jo më i vonët se 24 orë para udhëtimit dhe një certifikatë shërimi që tregon se nuk kanë kaluar më shumë se 180 ditë nga data e rezultatit të parë pozitiv të testit”.

Personat që nuk posedojnë certifikatë digjitale evropiane mund të jenë të detyruar t’i nënshtrohen një testi përpara ose brenda 24 orëve nga mbërritja.

Udhëtarët me nevoja thelbësore, ata ndërkufitarë dhe fëmijët nën 12 vjeç duhet të përjashtohen nga kjo kërkesë./atsh