Seuli akuzon sërish Phenianin për lëshimin e dy raketave
   Bota

Seuli akuzon sërish Phenianin për lëshimin e dy raketave

Koreja e Jugut ka njoftuar se beson se Veriu ka testuar të paktën dy raketa nga një zonë e brendshme e vendit, në atë që do të përbënte raundin e pestë të raketave të lëshuara nga Pheniani përgjatë këtij viti.

“Ne ende duhet të bëjmë një analizë të detajuar”, theksoi një zyrtar ushtarak i Seulit për median duke deklaruar se “nëse raketa të tilla do të lëshoheshin drejt Jugut, sistemet tona të zbulimit dhe përgjimit nuk do të kishin problem t’i luftonin ato”.

Veriu ka lëshuar tashmë ato që i quajti dy raketa të drejtuara taktike më 17 janar, vetëm tre ditë pas lëshimit të supozuar të testimit të dy raketave të tjera nga një tren, pjesë e divizionit hekurudhor të Forcave të Armatosura.

Pheniani testoi gjithashtu ato që i quajti raketa hipersonike më 5 dhe 11 janar, duke ngritur shqetësime në lidhje me aftësinë e Koresë së Jugut dhe vendeve të tjera fqinje, si Japonia, për t’iu kundërpërgjigjur një lloji të ri kërcënimi.

Në një shenjë të mëtejshme turbulence, Veriu raportoi javën e kaluar se mund të përfshihej në akte edhe më provokuese, me heqjen e moratoriumit të vetimponuar për testet bërthamore dhe raketore me rreze të gjatë veprimi për disa vite./atsh