Meksikë, gazetarët në protestë kundër vrasjeve të kolegëve të tyre
BKT
   Bota

Meksikë, gazetarët në protestë kundër vrasjeve të kolegëve të tyre

Në vendin ku në dy javët e fundit janë vrarë 3 gazetarë, një numër i madh i gazetarëve dhe aktivistëve reaguan ndaj ngjarjeve të dhunës duke u mbledhur përpara ndërtesave të qeverisë.

Gazetarët në Meksikë kanë protestuar kundër vrasjeve të kolegëve të tyre, raporton Anadolu Agency.

Në vendin ku në dy javët e fundit janë vrarë 3 gazetarë, një numër i madh i gazetarëve dhe aktivistëve reaguan ndaj ngjarjeve të dhunës duke u mbledhur përpara ndërtesave të qeverisë.

Zv/ministri i Brendshëm i Meksikës, përgjegjës për të drejtat e njeriut, Alejandro Encinas në një postim nga llogaria e tij në Twitter tha: "Gjatë periudhës presidenciale të Andres Lopez Obrador dhjetor 2018 dhe tetor 2021 kanë qenë viktima të atentateve 47 gazetarë. Rreth 10 për qind e gjykimeve lidhur me vrasjet në këto periudha kanë përfunduar me dënime".

Brenda dy javësh janë vrarë 3 gazetarë

Gazetarja Lourdes Maldonado më 23 janar u sulmua me armë në automjetin e saj në afërsi të shtëpisë së saj në qytetin Tijuana. Maldonado sapo kishte fituar gjyqin që ajo kishte ngritur ndaj kompanisë mediatike "Primer Sistema de Noticias" (PSN) me arsyen se ishte larguar në mënyrë të padrejtë nga puna.

Më 17 janar sërish në Tijuana u vra fotoreporteri Margarito Martinez Esquivel. Ndërsa gazetari Luis Gamboa Arenas i cili u zhduk më 12 janar në rajonin Veracruz ishte goditur për vdekje me thikë.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) thotë se Meksika është një nga vendet me më shumë dhunë kundër gazetarëve dhe më shumë vdekjesh në aspektin profesional.

Që nga viti 2000 e deri më tani në vend janë vrarë 148 gazetarë.