Emiri i Katarit do të takohet me Biden-in javën e ardhshme
Presidenti amerikan Biden dhe Sheiku Tamim bin Hamad Al Thani do të diskutojnë për çështjet rajonale dhe globale me interes të përbashkët.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden do të presë emirin e Katarit Sheikun Tamim bin Hamad Al Thani të hënën në Shtëpinë e Bardhë.
"Vizita ofron një mundësi për presidentin dhe Emirin që të konsultohen për një sërë çështjesh rajonale dhe globale me interes të ndërsjellë, përfshirë promovimin e sigurisë dhe prosperitetit të Gjirit dhe më gjerë në rajonin e Lindjes së Mesme, sigurimin e stabilitetit të furnizimeve globale me energji, mbështetjen e popullatës së Afganistanit dhe forcimin e bashkëpunimit tregtar dhe investues midis vendeve tona”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.
Gjatë takimit, Biden do të falënderojë emirin e Katarit për përpjekjet e Dohas për të siguruar kalimin e sigurt nga Afganistani të shtetasve amerikanë, banorëve të përhershëm të ligjshëm dhe partnerëve afganë.
“Presidenti pret me padurim këtë vizitë të rëndësishme dhe afirmimin e partneritetit të fortë midis SHBA-së dhe Katarit”, thuhet në deklaratë.























