NATO i kthen Rusisë përgjigje me shkrim, gati ka vetëm 5 mijë trupa
Sekretari i Përgjithshëm i aleancës më të madhe ushtarake në botë, NATO, Jens Stoltenberg, ka deklaruar në një prezantim për mediat se një përgjigje me shkrim i është dërguar Rusisë mbi zhvillimet e fundit në kufirin me Ukrainën.
“E kemi ftuar Rusinë dhe gjithë aleatët e NATO-s për të mbajtur diskutime e për të gjetur zgjidhje politike. Por, gjithçka varet nga vullneti i gjithsecilit”.
Sipas Stoltenberg, zgjidhja politike dhe paqësore, është ajo çfarë i shkon për shkak NATO-s. Nga ana e aleancës nuk kërkohet një konfrontim direkt dhe zgjidhja e tillë, është opsioni më i mirë për të gjithë.
Pavarësisht kësaj, vendet anëtare të NATO-s janë gati nëse forcat ruse nuk sprapsen dhe konflikti përshkallëzohen. Por, ndryshe nga 100 mijë trupat që Moska ka vendosur në kufi, NATO-ja ka vetëm 5 mijë ushtarë të gatshëm, për t’u nisur menjëherë në luftë.
Sakaq, sipas Stoltenberg, një grup tjetër është në gatishmëri po ashtu, në rast rreziku.
Sekretari i Përgjithshëm ka nënvizuar faktin se të gjithë aleatët, janë në një linjë me propozimet që i janë dhënë Rusisë. Këtu, përfshihet edhe Gjermania, e cila ka mbetur në heshtje sa i përket çështjes.
Ndër propozimet, flitet edhe për të ardhmen e Ukrainës në NATO.
Kremlini, kërkon që të garantohet se Kievi nuk do të jetë pjesë e aleancës, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme. Mirëpo, nga ana tjetër, një gjë e tillë nuk është e negociueshme mbi parimin se çdo vend merr vendimet e veta, përcjell Albanian Post.
“Ne jemi të gatshëm t’i dëgjojmë shqetësimet e rusëve”, shkruhet në deklaratë. “Por, nga ana tjetër, nuk do të bëjmë kompromis me asnjë kërkesë që bie ndesh me të drejtat e aleatëve”.























