Johnson: Të vazhdojmë punën ndërsa Londra pret raportin e “Partygate”
BKT
   Bota

Johnson: Të vazhdojmë punën ndërsa Londra pret raportin e “Partygate”

Kryeministri britanik Boris Johnson hodhi poshtë thirrjet për të dhënë dorëheqjen, ndërsa pjesa tjetër e Londrës pret me padurim rezultatet e raportit të nëpunëses civile për çështjen “Partygate”.

Johnson këmbënguli se ai po vazhdonte punën, megjithëse pranoi se kishte persona që donin ende që ai të largohej për një sërë arsyesh.

Sue Grey, një nëpunëse civile britanike aktualisht edhe sekretarja e Dytë e Përhershme në Zyrën e Kabinetit, pritet të paraqesë konstatimet e hetimit të saj lidhur me festat në Downing Street gjatë izolimit të koronavirusit.

Festat në Downing Street kanë zemëruar britanikët, shumë prej të cilëve kanë anashkaluar të gjitha llojet e festave dhe grumbullimeve shoqërore gjatë dy viteve të fundit pikërisht sepse udhëheqësi Johnson u tha atyre se një sakrificë e tillë ishte e nevojshme për të shmangur pandeminë e koronavirusit.

Më herët, shefja e Scotland Yard, Dame Cressida Dick njoftoi se po kryhej një hetim policor, i bazuar pjesërisht në provat e marra nga hetimi Grey.

Udhëheqësi laburist Sir Keir Starmer sugjeroi se Johnson kishte mashtruar Parlamentin në lidhje me festat në Downing Street, diçka që normalisht do të kërkonte dorëheqjen e një ministri.

I pyetur nëse do të largohej tani, kryeministri tha: “Jo”.

“Tani kemi spektaklin e turpshëm të një kryeministri britanik që i nënshtrohet një hetimi policor, i paaftë për të udhëhequr vendin, i paaftë për të bërë gjënë e duhur dhe çdo ditë kabineti i tij nuk arrin të flasë, ata bëhen gjithnjë e më shumë bashkëfajtorë”, tha Starmer./atsh