Princi britanik Andrew kërkon gjykim nga juria në padinë civile për abuzim
   Bota

Princi britanik Andrew kërkon gjykim nga juria në padinë civile për abuzim

Ai gjithashtu mohon se ishte mik i ngushtë i trafikantit të seksit të dënuar së fundmi, Ghislaine Maxwell.

Princi britanik Andrew ka kërkuar një gjyq nga juria për të pastruar emrin e tij nga akuzat për abuzim seksual, sipas një dokumenti ligjor, raportuan mediat britanike.

Në dokumentin prej 12 faqesh, i cili përfaqëson përgjigjen e parë zyrtare të Princit Andrew ndaj padisë civile amerikane të Virginia Robert Giuffre kundër tij, ai përfshiu një përgënjeshtrim paragraf për paragraf të 73 pretendimeve të saj kundër tij, duke mohuar "çdo keqbërje".

Princi Andrew, 61-vjeç, renditi 11 arsye pse çështja duhet të refuzohet, përfshirë statusin e vendbanimit të Giuffre dhe "sjelljen e saj të gabuar".

Në fund të dokumentit thuhet se: "Princi Andrew kërkon një gjykim nga juria për të gjitha shkaqet e veprimit të deklaruara në ankesë".

Princi Andrew hodhi dyshime rreth fotos tashmë famëkeqe të tij me krahun rreth belit të Giuffre si dhe mohoi të ishte mik i ngushtë i trafikantit të seksit të dënuar së fundmi, Ghislaine Maxwell.

Giuffre, (38), paraqiti ankesën e saj në SHBA gushtin e kaluar, ku pretendonte se ishte abuzuar seksualisht ose përdhunuar nga Princi Andrew në tri raste të ndara midis viteve 2000 dhe 2002. Ajo ishte nën moshën 18-vjeçare në atë kohë. Tani ajo e padit atë për dëmshpërblim.

Princi Andrew ishte përpjekur që çështja të hidhej poshtë nga gjykata, por një gjykatës amerikan lejoi që çështja të vazhdonte. Menjëherë pas kësaj, Mbretëresha i hoqi atij rolet e nderit ushtarak dhe mbrojtjen mbretërore.

"Përgjigja e Princit Andrew vazhdon qasjen e tij duke mohuar çdo njohuri ose informacion në lidhje me pretendimet kundër tij dhe pretendon të fajësojë viktimën e abuzimit për shkak të sjelljes së saj në njëfarë mënyre", tha avokati i Giuffre, David Boies.

"Ne mezi presim të përballemi me Princin Andrew me mohimet dhe përpjekjet e tij për të fajësuar zonjën Giuffre për abuzimin e saj në dëshminë e tij në gjyq".