Zelensky-Perëndimit: Mos bëni panik!
   Bota

Zelensky-Perëndimit: Mos bëni panik!

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i ka bërë thirrje Perëndimit që të mos krijojë panik mes grumbullimit të trupave ruse në kufijtë e vendit të tij.

Sipas BBC, ai tha se paralajmërimet për një pushtim të afërt po e rrezikonin ekonominë e Ukrainës.

Të enjten, presidenti amerikan Joe Biden tha se ai besonte se Rusia mund të sulmojë fqinjin e saj muajin e ardhshëm.

Rusia, megjithatë, mohon se po planifikon pushtimin dhe të premten ministri i saj i Jashtëm tha se Moska nuk dëshiron luftë.

Derisa Rusia ka rreth 100 mijë trupa në kufijtë e Ukrainës, Zelensky tha se ai nuk sheh një kërcënim më të madh tani se sa gjatë një grumbullimi të ngjashëm të trupave në pranverën e kaluar.

“Ka sinjale edhe nga udhëheqës të respektuar të shteteve, vetëm thonë se nesër do të ketë luftë. Ky është panik – sa kushton për shtetin tonë?”, tha ai në konferencën për shtyp në Kiev.