Gazetarët e huaj përballen me pengesa të paprecedenta në Kinë
BKT
   Bota

Gazetarët e huaj përballen me pengesa të paprecedenta në Kinë

Korrespondentët e huaj në Kinë po përballen me “pengesa të paprecedentë” në raportet e tyre nga vendi i madh aziatik, sipas një sondazhi vjetor të publikuar nga Klubi i Korrespondentëve të Huaj të Kinës (FCCC).

Sipas raportit 99% e korespondentëve ”besojnë se kushtet e punës nuk përmbushin standardet ndërkombëtare”.

”FCCC është e shqetësuar nga shpejtësia marramendëse me të cilën liria e medias po zvogëlohet në Kinë”, thuhet në një deklaratë të FCCC-së.

Përpara Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit, të cilat fillojnë të premten, 60% e 127 të anketuarve kritikuan informacionin e pamjaftueshëm të dhënë nga organizatorët mbi ngjarjet dhe gati një e treta e të anketuarve u ankuan se ishin të përjashtuar nga ngjarjet që duhej të ishin të hapura për mediet.

”Gati gjysma e të anketuarve thanë se zyrat e tyre kishin mungesë të personelit pasi nuk ishin në gjendje të sillnin gazetarë në vend. Refuzimi i vizave, përgjimi, frikësimi dhe ngacmimi u raportuan si probleme për zhvillimin e punës së përditshme”, thuhet në deklaratën e FCCC-së.

”Korrespondentët për Kinën, në pamundësi për të raportuar drejtpërdrejt nga vendi, janë vendosur në Tajpei, Singapor, Sidnej, Seul apo edhe Londër”, theksoi FCCC-ja./ atsh