Portugali, Partia Socialiste në pushtet fiton zgjedhjet e përgjithshme
BKT
   Bota

Portugali, Partia Socialiste në pushtet fiton zgjedhjet e përgjithshme

Partia Socialiste (PS) në pushtet e Portugalisë fitoi zgjedhjet e parakohshme legjislative të dielën, sipas "exit-poll-it".

Sipas parashikimeve fillestare të transmetuesit portugez RTP, PS, e udhëhequr nga kryeministri Antonio Costa, fitoi midis 102 dhe 116 ulëse në parlamentin prej 230 vendesh me 37-42 për qind të votave krahasuar me 27-35 për qind sa mori opozita e qendrës së djathtë, Partia Social Demokratike (PSD).

PS fitoi me një diferencë të ngushtë në krahasim me zgjedhjet e 2019-ës, por duke qenë se nuk pritet të sigurojë një shumicë si e vteme në parlament, ajo duhet të gjejë mbështetje nga partitë e tjera.

Pas rritjes së votave ashtu siç pritej, partia e ekstremit të djathtë Chega (Mjaft) mund të bëhet partia e tretë më e madhe me 5-8 për qind të votave.

Portugezët hodhën votën e tyre për herë të 17-të në historinë e demokracisë pas Revolucionit të Karafilit, i cili i dha fund diktaturës më 25 prill 1974.

Ndërsa 21 parti politike morën pjesë në zgjedhje, nëntë parti garuan për shumicën e vendeve.

Shpërndarja aktuale e vendeve në parlament është si më poshtë: Partia Socialiste (PS) 108 (36,34 për qind), Partia Socialdemokrate 79 (27,76 për qind), Blloku i Majtë 19 (9,52 për qind), Partia Komuniste dhe Aleanca e Të Gjelbërve Koalicioni Unitar Demokratik 12 (6,33 për qind), Qendra Socialdemokrate 5 (4,22 për qind), Njerëzit, Kafshët dhe Natyra 4 (3,32 për qind), Chega 1 (1,29 për qind), Nisma Liberale 1 (1,29 për qind) dhe Livre 1 (1,09 për qind).

PS, e cila është në pushtet që nga nëntori 2015, nuk mundi të kalonte buxhetin e vitit 2022 në parlament pasi nuk mundi të bindte partitë e majta dhe komuniste që mbështetën qeverinë e pakicës nga jashtë.

- Pjesëmarrje e ulët

Pjesëmarrja në votime pritej të ishte e ulët për shkak të pandemisë së koronavirusit. Gati 1 milion njerëz, e barabartë me 10 për qind të popullsisë së vendit, janë në karantinë në shtëpi për shkak të COVID-19.

Pjesëmarrja ishte 48,57 për qind në zgjedhjet e fundit të mbajtura në 2019, e cila ra në 40 për qind në zgjedhjet presidenciale në janar 2021. Shtypi portugez vlerësoi se kjo normë rrezikon të bjerë më tej.

Në vend janë të regjistruar gjithsej 10,8 milionë votues.

Costa, 60 vjeç, i cili ka qenë kryeministër për gjashtë vjet, do të hyjë në histori si kryeministri më jetëgjatë i vendit që nga Revolucioni i Karafilit.(AA)