Putin-Macron bisedojnë për Ukrainën, rrugët diplomatike i mbajnë të hapura
Shtytja diplomatike për të gjetur një zgjidhje mbi konfliktin mes Ukrainës dhe Rusisë ka vijuar në një telefonatë mes presidentit francez, Emmanuel Macron dhe atij rus, Vladimir Putin, për herë të dytë në katër ditë.
Sipas burimeve të brendshme nga Kremlini, dy krerët e shteteve diskutuan për çështjen e Ukrainës. Putini, ka qenë i qartë dhe i qëndrueshëm në qasjen e tij: Kërkojmë garanci për sigurinë.
Në këtë element, përfshihet edhe moslejimi i zgjerimit të NATO-s në vendet lindore.
Dakordësim sipas Moskës, ka pasur në aspektin e ruajtjes së bisedimeve diplomatike mes dy vendeve, ku u la i hapur edhe një opsion për një takim kokë më kokë mes Putinit dhe Macronit.
Presidenti francez nga ana tjetër, e vuri bisedën në vazhdën e “përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit”.
Sa i përket takimit kokë më kokë, pavarësisht se nuk u anashkalua si opsion, datë të saktë apo angazhim real, nuk ka pasur.
Me tërheqjen e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, nga politika, Macron e ka parë veten të marrë një rol të shtuar në politikën evropiane. Ai e ka pozicionuar veten si zëri zyrtar i marrëdhënieve me jashtë për Bashkimin Evropian.
Teksa, mbi aleancën e NATO-s, ai ka preferuar të veprojë i pavarur nga Washington-i dhe të mbajë të hapur kanale komunikimi me kundërshtarët e Amerikës.
Çështja e Ukrainës, është thjesht e fundit, e cila ka krijuar një ndasi në qasjet evropiane dhe amerikane.
Në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, Franca dhe Gjermania formuan bisedimet e “Formatit të Normandisë” mes Kievit dhe Moskës, ku u përfshi edhe Amerika.
Nëpërmjet këtij formati, grupimi i tre vendeve, ndihmoi në shmangien e një konflikti të armatosur në Ukrainën Lindore në vitin 2015, përcjell albanianpost.
Ndërsa sot, progresi pozitiv është më i pakët. Formati i Normandisë, për Macronin duhet të vijojë. Madje, është thelbësor për dialogun.























