SHBA: Rusia synon rritjen e trupave në Bjellorusi në 30 000
Gjatë një seance të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) mbi tensionet në Ukrainë, SHBA ka theksuar se Rusia deri në fillim të shkurtit synon të shtojë gjashtëfishin e pranisë së saj të trupave në Bjellorusi duke e çuar në 30 000 numrin e forcave të armatosura.
Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha se Rusia tashmë ka vendosur 5 000 trupa në Bjellorusi së bashku me raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi, forca speciale dhe bateri kundërajrore si dhe mbi 100 000 trupa brenda kufirit të saj pranë Ukrainës.
”Gjithsesi, Kremlini po angazhohet në një përshkallëzim agresiv, që ne e kemi parë në mënyrë të përsëritur”, theksoi ajo duke përmendur pushtimin e Gjeorgjisë në vitin 2008 si dhe pushtimin dhe aneksimin e Gadishullit të Krimesë, në vitin 2014.
“Tashmë, lufta e Rusisë në Ukrainën Lindore ka vrarë mbi 14 000 ukrainas. Pothuajse tre milionë ukrainas, gjysma e të cilëve janë të moshuar dhe fëmijë, kanë nevojë për ushqim, strehim dhe ndihmë”, tha Thomas-Greenfield./ATSH-AA























