A po kalohet nga pandemia në endemi
Shfaqja e nën-varianteve të SarsCov2 në rastin konkret edhe të Omicronit e quajtur, ‘’Motra e Omicron’’ sipas profesionistëve shëndetësorë janë të natyrshme në evolucionin e virusëve. Koronavirusët po shquhen për transformim të shpejtë por që e gjithë ecuria flet se po i largohemi pandemisë dhe po afrohemi në pjesën ku këto infeksione do të jenë endemike.
Kështu ka thënë për Radio Kosovën infektologu Ilir Tolaj, sipas të cilit këto nën variante do të vazhdojnë të jenë prezentë si çdo infeksion kryesisht në kohën e ftohtë siç ka pasur infeksione gjithmonë.
Ajo që është e rëndësishme sipas tij, këto nën-variante po përhapen shpejtë, do të ketë të sëmurë, por që serioziteti i sëmundjes do të jetë i kufizuar ndërsa më nuk do të paraqesin problem për shëndetin publik.
‘’ Nën-variantet që po shfaqen përpos që po shquhen me përcjellje të shpejtë në aspektin klinik nuk kanë rëndesë të sëmundjes. I gjithë ky transformim duke mos e rënduar peshën e sëmundjes në fakt po shpjegohet si një përpjekje e natyrës ‘’NËN’’ që ta bëj imunizimin sa më të shpejtë të popullatës në këto infeksione në mënyrë që të largohemi nga masat restriktive dhe të krijojmë nivelin e duhur kolektiv në kohën kur jeta jonë të jetën ormale sic ka qenë edhe para pandemisë’’, tha Tolaj.
Lloji i ri i variantit COVID-19, i quajtur “Motra e Omicronit” fillimisht u shfaq në fillim të dhjetorit, jo shumë kohë pasi Omicron filloi të përhapet në të gjithë botën. Nën-linja e këtij varianti njihet si BA.2, me shumicën e rasteve të Omicron nga varianti origjinal BA.1.
Ky variant ka mutacione të njëjta si të Omicronit, por normat aktuale të rasteve janë shumë të ulëta. Një varg studimesh pozitive tregojnë se Omicroni është më i butë se variantet e reja, por tek ky variant vaksina po konsiderohet të jetë më efektive.
Sa i përket Kosovës, Tolaj tha se situata epidemiologjike është nën kontroll, dhe se kjo flet më së miri kur shihet se numri i të hospitalizuarve nuk e ka kaluar shifrën 200 në të gjitha spitalet e Kosovës, derisa numri i të infektuarve në ditë ka kaluar mbi 4 mijë sosh.
‘’Situata epidemiologjike në Kosovë është stabile sa i ëprket infeksioneve, pasi ditët e fundit po vërehet edhe një rënie e numrit të infektuarve. Kjo pasi njerëzit nuk kanë shumë interesim të testohen, pasi simptomet janë më të lehta’’, tha ai.
Një ndër faktorët që ka ndikuar në mbrojtje të shëndetit publik konsiderohet të jetë edhe niveli i lartë i vaksinimit në Kosovë, ku tashmë mbi 1 milion e 800 mijë qytetarë janë vakcinuar.























