Forcat turke u japin goditje të rëndë terroristëve të PKK në Siri dhe Irak
Forcat e Armatosura të Turqisë kanë përfunduar me sukses operacionin "Shqiponja e Dimrit" në veri të Sirisë dhe Irakut, duke shkatërruar strehimoret dhe shpellat ku fshiheshin pjesëtarët e organizatës terroriste PKK.
Ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar, i cili monitoroi operacionin nga Komanda e Forcave Ajrore tha se terroristët në operacionin "Shqiponja e Dimrit" ndjenë edhe një goditje të Forcave të Armatosura të Turqisë.
Duke iu drejtuar stafit pasi avionët turq goditën objektivat terroriste në rajonet Derrick, Sincar dhe Karacak, të cilat përdoren si strehimore terroriste në veri të Irakut dhe Sirisë, Akar tha: "Ne kemi përfunduar me sukses operacionin 'Shqiponja e Dimrit'".
"Qëllimi ynë është siguria e 84 milionë qytetarëve tanë dhe kufijve tanë. Operacioni kundër objektivave terroristë në veri të Irakut dhe Siri është planifikuar me kujdes dhe është kryer me sukses. Si në të gjitha aktivitetet tona, ne kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për të mos dëmtuar civilët dhe njerëzit e pafajshëm përreth”, tha Akar.
Ai shpjegoi se objektivat ishin strehimoret e terroristëve, bunkerët, shpellat, tunelet, magazinat, të ashtuquajturat qendrat e trajnimit dhe të ashtuquajturat shtabet e terroristëve.
"Vetëm terroristët dhe strukturat që u përkisnin terroristëve u vunë në shënjestër. Strehimoret, bunkerët, strofullat dhe shpellat e terroristëve. Terroristët ndjenë edhe një herë goditjen e forcave të armatosura turke. Thyerja e organizatës terroriste është gjithnjë e më e sigurt", tha Akar.
Ai shtoi se gjatë këtij operacioni janë neutralizuar një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të organizatës terroriste për të cilët janë lëshuar urdhër-arreste.
Akar shoqërohej sot nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral Yasar Guler, komandanti i Forcave Ajrore gjeneral, Hasan Kucukakyuz, komandanti i Marinës Admiral, Adnan Ozbal.
PKK është organizatë separatiste në listën e grupeve terroriste në Turqi, Bashkimin Evropian dhe SHBA. Gjatë fushatës terroriste disa dekadashe kundër Turqisë, terroristët e PKK-së vranë të paktën 40 mijë njerëz. YPG-së është dega e PKK-së që vepron në veri të Sirisë.
Forcat e Turqisë kanë kryer disa operacione të suksesshme anti-terroriste në 6 vitet e fundit përgjatë kufirit siriano-turk, "Mburoja e Eufratit" (2016), "Dega e Ullirit" (2018) dhe "Burimi i Paqes" (2019). Qëllimi i këtyre operacioneve ishte çlirimi i zonës kufitare nga organizatat terroriste, parandalimi i formimit të një korridori terrorist dhe krijimi i një zone të sigurt për civilët. (AA)























