Mijëra mësues protestojnë kundër reformave të arsimit në Iran
BKT
   Bota

Mijëra mësues protestojnë kundër reformave të arsimit në Iran

Mijëra mësues hynë në grevë një ditore në Iran duke protestuar kundër reformave, shumë të ngadalta sipas tyre, për rritjen e pagave dhe pensioneve. 

Mediat iraniane raportojnë se protesta u zhvilluan dhe para parlamentit në Teheran e manifestime të tjera para ministrisë së arsimit dhe drejtorive arsimore në vende të ndryshme.

Në disa prej këtyre protestave pati dhe parulla të tipit: Lironi mësuesit e burgosur. Një kërkesë referuar pedagogëve të arrestuar në manifestimet e mëparshme. Protestat në fakt vijojnë prej disa muajsh dhe kanë përfshirë dhe sektorë të tjerë publikë.

Mes kërkesave të ndryshme është dhe barazimi i pagave të mësuesve me ato të nënpunësve të tjerë publikë. Një nga pedagogët u shpreh se kishte master dhe doktoraturë por paga e tij është vetëm 160 dollarë.

Ekonomia iraniane prej kohësh është e goditur nga sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me vendim të ish presidentit amerikan Donald Trump, dhe inflacioni ka arritur në 40%. Lideri suprem i republikës islamike, Khamenei, u shpreh se sanksionet amerikane nuk janë i vetmi faktor që dëmton ekonominë e vendit, por është dhe keqmenaxhimi i financave në nivel qeveritar.