ShBA-ja do të dërgojë trupa shtesë në Gjermani dhe Poloni
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka miratuar vendosjen e forcave shtesë në Evropën Lindore.
Sipas planit, ShBA-ja do të dërgojë rreth 2,000 trupa amerikane në Poloni dhe Gjermani, ndërsa 1,000 trupa do të lëvizin nga Gjermania në Rumani.
Trupat në Poloni do të vihen në gatishmëri të lartë, raporton DW, transmeton Klankosova.tv.
Një skuadron Stryker prej rreth 1,000 anëtarësh të shërbimit amerikan në Gjermani do të dërgohet në Rumani, dhe rreth 1,700 trupa, kryesisht nga Divizioni 82 Ajror, do të vendosen nga ShBA-ja në Poloni, si dhe 300 anëtarë të shërbimit do të shkojnë në Gjermani.
Ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak, përshëndeti dislokimin, duke thënë se forcimi i pranisë së ShBA-së në Poloni me 1,700 trupa është një sinjal i fortë solidariteti në përgjigje të agresionit të mundshëm rus kundër Ukrainës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e përshëndeti gjithashtu vendosjen.
Pas njoftimit, Rusia tha se vendosja ishte një lëvizje “përçarëse”.
“Hapa përçarës që rrisin tensionin ushtarak dhe zvogëlojnë hapësirën për vendime politike”, tha zëvendësministri i Jashtëm rus, Alexander Grushko.
Rusia ka grumbulluar më shumë se 130,000 trupa në kufirin me Ukrainën së bashku me pajisje të rënda dhe furnizime, duke shkaktuar frikën e një pushtimi të afërt. Rusia ka mohuar se synon të pushtojë Ukrainën, por ka lëshuar kërkesa të ndryshme kundër atyre që konsiderohen si kërcënime të NATO-s.























